Kur kanë mbetur 11 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka asnjë përgjigje për zhvillimin e projektit të identifikimit dhe regjistrimit elektronik të votuesve në qarkun e Tiranës.

Ndërsa kompanisë “Indra”, të kontraktuar për këtë shërbim, i është paguar tashmë pjesa më e madhe e kontratës financiare të lidhur me KQZ në vleren 2.6 milionë euro, institucioni kontraktues, pra KQZ, përveç se deklaron disponibilitet, nuk jep asnjë garanci se projekti do të realizohet.

Ndërsa në mbledhjen e radhës opozita ka ngritur dyshimin se ai po sabotohet qëllimisht nga institucioni më i lartë zgjedhor.

“Unë kërkoj të dëgjoj disponibilitetin e KQZ për të analizuar projektin dhe të di kur KQZ do paraqesë aktet për miratimin e projektit”, deklaroi përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj.

“Raportet i kanë kaluar firmës “Indra”, të presim raportimin e saj dhe pastaj do të ketë një vendim nga KQZ”, u përgjigj kryetarja Lefteri Lleshi.

Ashtu si në gjithë proçesin e përdorimit të elektronikës në zgjedhje, KQZ nuk iu përgjigj interesimit të Top Channel për pyetjen se, kur raportet me vërejtjet e partive politike pas testit të datës 8 qershor i janë çuar firmës kontraktuese, ndërsa nga burime pranë kësaj të fundit pohoet se KQZ nuk ka paraqitur interes për të përshpejtuar proçesin, duke mos shpjeguar dot se përse institucioni më i lartë zgjedhor zvarrit marrjen e një shërbimi të paguar.

Në këtë kontratë mes KQZ-së dhe “Indra” që Top Channel disponon, testi i Tiranës që u zhvillua në datën 8 qershor duhet të ishte zhvilluar që në 23 prill.

Përpos vonesës nga detyrimi kontraktual me një muaj e gjysmë vonesë, ajo që bie në sy nga kontrata 2.6 milionë euro dhe që ngre pikëpyetjen e madhe mbi termat e saj është se KQZ ka pranuar të paguajë firmën në masën 90% deri në fazën e kryerjes së testit, duke i lënë zbatimit ditën e zgjedhjeve vetëm 10% të vlerës së kontratës.

Megjithë vërejtjet për testin e identifikimit elektronik të zgjedhësve, forcat politike besojnë se projekti gjithësesi sjell risinë e regjistrimit të votuesve në sistem. Nëse një zgjedhës arrin të votojë më shumë se një herë, është gjetur mekanizmi që pranë sistemit të vendosen auditues të secilës nga dy partitë e mëdha që në kohë reale shohin zgjedhësit që figurojnë të kenë votuar më shumë se një herë.

Po ashtu, kjo aparaturë arrin të identifikojë një kartë apo pasaportë të falsifikuar duke qenë se bën verifikimin e dokumentit me të cilin votohet në të tre elementët e saj të sigurisë.

Por nëse palët në proçes besojnë se teknologjia e Tiranës çon zgjedhjet një hap përpara, pasi shmang pjesën më të madhe të problematikës së proçeseve të shkuara, mbetet i pashpjegueshëm qëndrimi i KQZ-së, që deri tani e ka konsideruar teknologjinë në zgjedhje kronikën e një dështimi të paralajmëruar.

Top Channel