“Socialistë, braktisni Ramën”

13/06/2013 23:30

Kryeministri Berisha ka vijuar fushatën elektorale në njësinë bashkiake numër 7 në kryeqytet, prej nga u bëri thirrje socialistëve të braktisin liderin, që i udhëhoqi nga disfata në disfatë, siç u shpreh ai, dhe të bashkohen me Partinë Demokratike, për më shumë punësim, mirëqenie dhe integrim.

“Socialistë, njeriu që iu udhëhoqi nga disfata në disfatë nuk meriton të ndiqet më, ejani me ne të ecim drejt fitores, drejt së ardhmes. Votoni 44, fitoren, integrimin, punësimin dhe zhvillimin”, u shpreh Berisha.

Pas mitingut festiv në njësinë 7, kryeministri ka dëgjuar shqetësimet e banorëve të njësisë bashkiake numër 5. Në një bashkëbisedim me qytetarët në amfiteatrin e Liqeni Artificial, Berisha u ndalur tek infrastruktura në kryeqytet. Ai tha se rrugët janë problemi kryesor i Tiranës, por siguroi se qeveria do të financojë rindërtimin e plotë të tyre.

“E dija që Tirana jashtë qendrës ka një infrastrukturë të botës së tretë. Dal dhe vet dhe shoh po infrastrukturë të papranueshme, pothuajse në cdo skaj jashtë akseve kryesore. Qeveria do financojë infrastrukturën deri sa Tirana të asfaltojë cdo rrugë e rrugicë të saj, sepse këtu aktualisht janë 250 km rrugë dhe rrugica baltë, të paasfaltuara”, tha Berisha.

Kryeministri sulmoi programin ekonomik të Partisë Socialiste për rritjen e taksave mbi të ardhurat personale.

“Taksa e të ardhurave personale është taksa e cila është faktuar nga studimet më serioze, që rrënon më shumë ekonominë, sepse është taksë mbi personin. Ky kërkon që ky trend investimesh në Shqipëri të ndërpritet. Ka një gjë këtu, ky është një piktor i dështuar, nuk ka një koncept në ekonomi”, përfundoi Berisha.

Top Channel