“KQZ-ja është problematike”

14/06/2013 00:00

Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Muller-Holtkemper, tha se zgjedhjet e 23 qershorit duhet të jenë një proces i pastër teknik.

“Sikurse thashë më sipër, realizimi i zgjedhjeve duhet të jetë një proces i pastër teknik, në mënyrë që rezultati i vullnetit të zgjedhësve të pasqyrohet sa më saktë të jetë i mundur. Nuk është e nevojshme të shohim shumë larg për këtë qëllim, në Gjermani, Francë apo vende të tjera anëtare të BE-së. Edhe vende fqinje të Shqipërisë ia dalin brenda një kohe mjaft të shkurtër të numërojnë votat dhe të përcaktojnë rezultatin përfundimtar zyrtar të zgjedhjeve”, tha Muller-Holtkemper.

Përbërjen e KQZ-së me 4 anëtarë, ambasadorja gjermane e shikon problematike.

“Në këndvështrimin tonë, një KQZ me vetëm 4 anëtarë, në vend të 7 të tillëve, është problematik për shumë arsye. Jo vetëm për faktin se opozita nuk është e përfaqësuar në KQZ dhe që 4 persona duhet tanimë të ndajnë punën e 7 vetëve, por vështirësia kryesore qëndron para së gjithash në faktin që, disa vendime të caktuara në KQZ, përfshi këtu vendimin zyrtar për rezultatin përfundimtar dhe shpërndarjen e mandateve, kërkojnë një shumicë të cilësuar. Do të shihet më tej, a do ta dëmtojë ky aspekt realizimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare dhe eventualisht deri në çfarë mase”, shtoi ambasadorja e Gjermanisë.

Sa i takon pjesëmarrjes në zgjedhje, Carola Muller-Holtkemper thotë se, ata që nuk votojnë nuk mund të ankohen më pas, nëse në pushtet vjen partia e gjykuar prej tyre si e gabuar.

“Por, demokracia nuk konsumohet vetëm duke marrë pjesë rregullisht në zgjedhje. Ajo ka nevojë edhe për një angazhim të vazhdueshëm qytetar. E këtu bën pjesë edhe vlerësimi i partive, përmes mbajtjes ose jo të premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore dhe realizimit të programeve të tyre partiake”, theksoi Muller-Holtkemper.

Ambasadorja gjermane tha se janë ndjekur me interes përgatitjet zgjedhore dhe zhvillimi i fushatës, duke e cilësuar deri tani të qetë, por të papranueshme mbeten – sipas saj – përplasjet dhe sulmet ndaj kandidatëve të partive të veçanta.

“Zgjidhni krizën e KQZ”
Volont
é: Rrezikohet besueshmëria e procesit zgjedhor

Luca Volonté, kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të
Këshillit të Europës sheh rrezik real për kredibilitetin e rezultatit të
zgjedhjeve.

Ai tha per “Deutsche Welle” se legjislacionit zgjedhor i nevojitet amendim lidhur me lirinë e medias. Në intervisten e tij, Volonté sqaron se rreziku ka të bëjë me kredibilitetin e procesit zgjedhor dhe besimin e publikut tek rezultati i votimit.

Vendimi i disa partive për të dhënë dorëheqjen nga KQZ është një rrezik real, objektiv për funksionimin e KQZ, thote zyrtari i larte. Ndërkohë Kodi Elektoral, ligji zgjedhor ka dispozita që e lejojnë KQZ të marrë vendime edhe me 4 anëtarë, por jo vendime që kërkojnë një shumicë të cilësuar.

Prandaj, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka bërë një apel të fortë drejtuesve politikë të Shqipërisë, që ta zgjidhin krizën në KQZ, pasi ajo rrezikon kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Ne kemi bërë apel që të gjendet një zgjidhje për funksionimin e plotë të KQZ, vazhdon Volonté. Vendimin për t’i dhënë fund kësaj situate, kur nga 23 qershori kanë mbetur pak ditë, duhet ta marrin drejtuesit politikë dhe kjo duhet të bëhet në emër të së ardhmes së Shqipërisë, ky është apeli ynë, kjo është ftesa jonë.  

I pyetur cilat jane standartet e Këshillit të Evropës që duhen te plotësojnë këto zgjedhje, ai tha se ne radhë të parë njerëzit duhet të votojnë lirisht për kë dëshirojnë, pa asnjë detyrim, pa asnjë presion, numërim i votave duhet të jetë transparent dhe realist, palët duhet të pranojnë rezultatin, kjo është çështje kyç.

Ne fund te intervistes, Volonté shton se kodi elektoral ka dispozita për të transmetuar kaseta te gatshme, dhe se ai duhet amenduar në Parlamentin e ardhshëm me qellim respektimin e lirise se medias.

Top Channel