Berisha në Kukës e Shupenzë: Fitore më 23

15/06/2013 21:50

Kryeministri Sali Berisha e ka vijuar fushatën elektorale pasditen e së shtunës në Kukës, prej nga ka shprehur bindjen për fitoren që ky qytet do t’i japë PD-së më 23 qershor.

“Shoh në sytë tuaj besimin tek fitorja e 23 qershorit. Fitoren më të thellë që Kukësi i jep Shqipërisë më 23 qershor”, është shprehur Berisha.

Kryetari i PD ka garantuar kuksianët se vota e tyre do të shpërblehet me vijimin e angazhimit të qeverisë së tij për qytetin e tyre.

“Garantoj se çdo votë e juaja është krenari për ne. Është detyrim për ne për të vijuar projektet për Kukësin dhe Shqipërinë e zhvilluar. Të vazhdojmë drejt”, ka thënë Berisha, sipas të cilit Shqipëria ka arritur shumë në këto vite.

“Le të ecim drejt fitores, pasi në pak vite Shqipërinë e bëmë anëtare të NATO-s, aleanca që çliroi Kosovën. Ne ndërtuam Rrugën e Kombit që bashkoi shqiptarët dhe qindra kilometra rrugë të tjera. Sot lëvizim të lirë në mbarë Evropën, së bashku do marrim statusin dhe do nisim negociatat për anëtarësimin në BE”, ka thënë kryeministri.

Në mbyllje të fjalimit të tij, zoti Berisha ka ftuar edhe elektoratin socialist dhe atë të pavendosur që t’i bashkohen alternativës së Partisë Demokratike.

“Kjo është alternativa jonë. Le ta lëmë kalorësin e humbjeve dhe disfatave, që është futur në autobusin mavi. Të bashkohemi drejt fitores demokratë e socialistë. Socialistë e të paparti, ejani me ne”, ka thënë Berisha.

Berisha në Shupenzë: Infrastrukturë dhe grante

Kryeministri e ka vijuar fushatën në në Shupenzë, ku ka premtuar se qeveria e tij do të ndërtojë infrastrukturën më moderne.

“Ne do rregullojmë çdo kilometër rrugë, çdo sistem vaditjeje, do të ndërtojmë shkolla. Është betimi im solemn që do të ndërtoj ujësjellësin në fshatrat e Peshkopisë”, ka thënë Berisha, i cili ka premtuar mbështetje për bujqit.

“Ju jap fjalën juve se katër vitet që vijnë grantet për projektet tuaja do të rriten tre herë, në 56 milionë dollarë. Në katër vitet që vijnë, do të ndërtojmë në Shupenzë, Maqellarë e mbarë Shqipërinë sistemet më moderne të vaditjes”, ka nënvizuar Berisha.

Turizmi ka qenë një tjetër pikë e prekur prej tij. “Do bëjmë gjithçka për shumëfishimin e turizmit në Peshkopi dhe mbarë Shqipërinë”, ka thënë Berisha.

Më tej kreu i PD ftoi të gjithë që, “të mbështesin alternativën e punësimit, infrastrukturës moderne, rritjes së rrogave dhe pensioneve, të integrimit evropian”.

“Alternativa tjetër është ajo që përpiqet të mbjellë pesimizëm e dëshpërim, vetëm e vetëm për të shpallur arritjet tuaja të dështuar”, ka shtuar Berisha, i cili ka sulmuar kreun e PS se nuk deklaron të ardhurat e tij dhe fsheh pasuri kolosale.

Top Channel