Rikthehen tensionet në Turqi

16/06/2013 00:00

Situata është tensionuar sërish në Stamboll, ku protestuesit sfiduan gazin lotsjellës dhe pompat e ujit të përdoruara nga policia në përpjekje për t’i detyruar të largohen nga parku Gezi.

Ata zgjodhën ta shpërfillnin ultimatumin për t’i dhënë fund demonstratave dy javore në zonë. Pak pas ndërhyrjes së qindra policëve dhe automjeteve të blinduara, turma e boshatisi parkun, por vetëm për tu rigrumbulluar në rrugët aty pranë ku njerëzit ngritën edhe barrikada.

Një zjarr i madh është raportuar në zonë e po kështu duket se është përdorur gaz lotsjellës në lobin e një hoteli me pesë yje, ku u strehuan disa nga protestuesit. Policia paralajmëroi gazetarët që po ndiqnin zhvillimet të largoheshin sepse në të kundërt mund të bëheshin objekt arrestimesh. Para masave policore, protestuesit kishin filluar të grumbulloheshin në park dhe në Sheshin Taksim aty pranë, në përgjigje të thirrjeve përmes medias sociale për një protestë masive.

Organizimi i së shtunës u ndërmor në përgjigje të kritikave të kryeministrit Reçep Taip Erdohan ndaj demonstruesve. Pak më herët ai kish deklaruar në Ankara përpara mijëra mbështetësve se demonstruesit në Stamboll ishin njerëz të shtresave të izoluara dhe nxori një paralajmërim kundër tyre.

Parku Gezi, u shpreh Erdoan, nuk i përket organizatave të paligjshme, ndaj bashkë me Sheshin Taksim duhet të lirohet përndryshe situatën do ta marrin në dorë forcat e sigurisë. Sipas dëshmitarëve okularë, ajo e djeshmja ishte nata më e ashpër që nga fillimi i protestave 18 ditë më parë.

Përleshjet vazhduan deri mëngjesin e sotëm. Policia mbylli dhe urën e Bosforit për t’i ndaluar demonstruesit të mblidhen në Sheshin Taksim. Që nga nisja e trazirave në 31 maj, në përleshjet me policinë kanë gjetur vdekjen 4 persona e janë plagosur rreth 5 mijë të tjerë.
 

Top Channel