Nga veriu në jug të vendit, kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi po takohen me strukturat duke shpalosur platformat e vecanta se si ata mendojnë të ringrenë Partinë Demokratike pas humbjes së thellë në zgjedhje.

Në takimet në Tropojë dhe Has zoti Olldashi e vuri theksin tek forcimi i strukturës së partisë për të gjetur një ekuilibër, sic tha ai, edhe për të hapur partinë, por edhe për të motivuar anëtarësinë e saj.

“Ne duhet ta nxisim botën akademike të vijë këtu, në këtë sallë, të bëhet pjesë e strukturës, të bëhet pjesë e konkurencës së brendshme të partisë sepse kështu rrisim përfaqësimin tonë, rrisim cilësinë tonë të brendshme dhe e bëjmë partinë me konkurentë mes vetes. Kjo nuk do të thotë se nuk do të marrim kapacitete nga shoqëria civile apo nga bota akademike dhe t’i sjellim në parti. Do t’i marrim, por duke patur gjithmonë një balancë, që nuk e prek cilësinë e strukturës. Pra, një pikë ekuilibri që na lejon të zhvillojmë edhe konkurencën e ndershme brenda niveleve të partisë, por edhe që na mban balancën për të ruajtur një përfaqësim cilësor në nivelin e lartë politik të partisë”, tha Olldashi.

Në Has, zoti Olldashi u bëri thirrje demokratëve të qëndrojnë të bashkuar për t’i dhënë vendit një opozitë të fortë dhe dinjitoze.

Pas Tropojës dhe Hasit, kandidati për kreun e PD-së, Sokol Olldashi, u takua me anëtarët e e grupseksionit numër 1 në Tiranë. Ai deklaroi se Partia Demokratike duhet të fokusohet te një paketë ristrukturimi, që mundëson inventarizimin e kontributeve të anëtarëve të saj.

“Ne kemi nevojë, që skedarët e anëtarësisë së partisë të mos i kemi thjesht lista emrash dhe data anëtarësie. Nëse ne, sot, nuk i referohemi memories së drejtuesve të strukturave tona, ne e kemi të pamundur të identifikojmë kontributin e militantëve tanë, kontributin e anëtarëve të partisë, dhe kjo na çon që vlerësimi i gjithsecilit prej tyre të mbetet në objektivitetin apo subjektivitetin e drejtuesve politikë. Eshtë e pamundur, që kjo të çojë në një trajtim të drejtë dhe të ndershëm të anëtarëve të partisë. Trajtimi duhet të jetë real dhe, që të jetë real, duhet që ky skedar të krijohet me shpejtësi,  në mënyrë që t’i japim gjithsecilit, atë që realisht i takon dhe jo, atë që unë mendoj se i takon”, tha Olldashi.

Ndërsa në takimet në Sarandë dhe Delvinë, kandidati Lulzim Basha ka theksuar si prioritet emergjent ngritjen e një strukture për të mbrojtur administratën nga cdo abuzim eventual i qeverisë së re.

“Aksoni ynë politik duhet të nisë menjëherë. Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet për të mbrojtur shërbimin civil nga revanshi që pritet të fillojë, nëpërmjet ngritjes së zyrave të posacme në të gjithë territorin e vendit për të evidentuar cdo rast abuzivizmi të tillë. Ngritjen e grupeve të posacme juridike, në mënyrë që në përputhje me ligjet e vendit, kushdo që guxon të ndërmarrë hapa të tille, të përballet në mënyrë të menjëhershme nëpërmjet sistemit juridik shqiptar me faturën ligjore, financiare dhe politike të një abuzivizmi të tillë”, tha zoti Basha.

Për t’u dhënë sigurinë demokratëve se ai është njeriu i duhur për të risjellë Partinë Demokratike në pushtet, zoti Basha përmendi fitoren e zgjedhjeve lokale në Tiranë. Por për të arritur tek fitorja tjetër, sipas zotit Basha demokratët duhet të jenë të bashkuar.

“Jam i bindur dhe kam besim të plotë që prape të bashkuar dhe bazuar në vullnetin e zemrave dhe mendjeve të cdo demokrati dhe demokrateje, pa përjashtim, unë do t’ju udhëheq përsëri drejt largimit të kryesocialistit nga pusheti që ka marrë, dhe kthimin e tij në opozitë”, deklaroi Basha.

Top Channel