Egjipt, përcaktohet kalendari zgjedhor

08/07/2013 23:50

Lideri i përkohshëm i Egjiptit ka përcaktuar afatet kohore për zgjedhjet e reja, në vazhdën e trazirave në vend. Dekreti i Adly Mansour bën të ditur se një panel për amendimin e Kushtetutës do të formohet brenda 15 ditëve, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme mund të mbahen në muajin shkurt.

Kjo është lëvizja e parë e kreut të përkohshëm të shtetit, pas 51
viktimave në Kajro, si pasojë e ofensivës së Ushtrisë ndaj anëtarëve të
Vllazërisë Muslimane.

Vllazëria Muslimane akuzon se anëtarët e tyre u qëlluan gjatë një proteste paqësore për lirimin e presidentit të rrëzuar, Mohammad Morsi, ndërsa ushtria tha se ajo iu kundërpërgjigj një provokimi të armatosur.

Mansour lëshoi dekretin në orët e vona të së hënës, sipas të cilit pritet të formohet një panel për amendimin e kushtetutës, së pezulluar javën e kaluar, brenda 15 ditëve të ardhshme. Ndryshimet do të votohen më pas përmes një referendumi, i cili do të organizohet brenda 4 muajsh. Pas këtij veprimi do të mbahen zgjedhjet parlamentare, minimalisht nga fillimi i vitit 2014. Në fund, pasi të jetë konstituuar parlamenti i ri, do të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale.

Vllazëria Muslimane nuk ka reaguar ende, me asnjë koment publik, në lidhje me këtë kalendar zgjedhor.

Egjipt, ushtria qëllon ndaj protestuesve

Udhëheqësi i Egjiptit, Adly
Mansur shprehu dhimbjen për vrasjen e 51 personave pranë kazermave të
rojes presidenciale në Kajro, bëri thirrje për përmbajtje dhe urdhëroi
hetim për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

“Vëllazëria Muslimane” tha se anëtarët e saj u qëlluan gjatë një protestë në mbështetje të ish-Presidentit Mohamed Mursi, që besohet se ndodhet pikërisht brenda tyre, ndërsa sipas ushtrisë “ajo iu përgjigj një provokimi me armë”.

Dhjetëra-mijëra të mbështetësve të Mursit u mblodhën për të tretën ditë me radhë, pranë xhamisë Rabaa Al Adauija në Kajro, një zonë që tashmë e kanë shndërruar në sheshin e tyre të protestës.

Ka raportime kontradiktore për ngjarjet jashtë barrakave, mëngjesin e së hënës. “Vëllazëria Muslimane” raportoi për 53 viktima, mes të cilëve edhe fëmijë pasi ushtria qëlloi protestuesit pro-Mursit në orën 04:00 me orën lokale, ndërsa po kryhej lutja e mëngjesit.

Ministria e Shëndetësisë tha se të paktën 51 persona humbën jetën dhe 435 të tjerë u plagosën.Korrespondentja e BBC-se në Kajro, Lis Dyset tha se ndërsa palët kanë materiale filmike për të provuar se kanë të drejtë, e rëndësishme është se cfarë beson populli se ka ndodhur.

Krahu politik i “Vëllazërisë Muslimane” bëri thirrje për kryengritje. Partia Liri dhe Drejtesi, që siguroi thuajse gjysmën e deputetëve në zgjedhjet historike parlamentare në fund të 2011 dhe fillim të 2012- u kërkoi egjiptianëve të ngrihen kundër atyre që u përpoqen të vjedhin revolucionin e tyre përmes tankeve.

Në të njëjtën kohë i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë “masakra të tjera” apo të pengojë që Egjipti të shdërrohet si Siria. Lëvizja ka akuzuar ushtrinë se ka kryer një grusht shteti. Partia e linjës së ashpër “Salafist Nour”, që mbështeti largimin e Mursit, deklaroi tërheqjen nga bisedimet për zgjedhjen e kryeministrit të ri, duke i përshkruar vrasjet si “masakër”.

Top Channel