Snowden “peshon” ofertat për azil

09/07/2013 04:00

Ende një njeri pa shtetësi dhe i bllokuar në një aeroport të Moskës, spiuni i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, duket se po shqyrton disa mundësi pas kërkesave të tij për azil.

Venezuela i ka zgjatur një ofertë për azil Snowden-it; presidenti Nicolas Maduro tha se qeveria e tij ka marrë një kërkesë zyrtare për azil nga ai, teksa tashmë po pret përgjigjen e tij, bëri të ditur një zëdhënës i qeverisë të hënën.

Nëse Snowden pranon azilin në Venezuelë, Elias Jaua, ministër i Jashtëm, tha për median shtetërore VTV gjatë fundjavës, se “ne do të nisim kontaktet me qeverinë e Federatës Ruse. Ai ndodhet atje, sigurisht nuk ndodhet në një territor venezuelian. Na duhet të marrim edhe mendimin e qeverisë ruse për të”.

Venezuela është një nga 3 kombet e Amerikës Latine, me prirje të majta të shkallëve të ndryshme, që kanë shprehur faktin se mirëpresin Snowden-in. Të tjerë ofertues janë Bolivia, e cila ia ka ofruar azilin politik tashmë, si dhe Nicaragua, që ka deklaruar se do ta konsiderojë kërkesën e tij.

Snowden, një ish-kontraktor i Agjencisë të Sigurisë Kombëtare (NSA), i cili përballet me akuzat e spiunazhit në Shtetet e Bashkuara, është konsideruar si tradhëtar nga kritikët, ndërsa është lavdëruar si hero nga mbështetësit e tij. Ai ka mbetur “në harresë”, prej më shumë se 2 javësh nga mbërritja e tij në aeroportin ndërkombëtar “Sheremetyevo” të Moskës, nga Hong Kongu.

Top Channel