Frika e copëtimit të Egjiptit

09/07/2013 00:00

Ministri egjiptian i Mbrojtjes bëri një paralajmërim kundër përpjekjeve, që do të copëtonin Egjiptin.

Deklarata e Abdel Fatah Al Sisi vjen një javë pas rrëzimit nga pushteti të ish-presidentit, Mohamed Morsi, dhe pas caktimit të kreut të Gjykatës Kushtetuese, Adli Mansur, në vend të tij.

Gjatë një fjalimi televiziv, Al Sisi tha se “e ardhmja e vendit është shumë e rëndësishme, e shenjtë për manovra, cilatdo të jenë justifikimet e tyre”. Ai nënvizoi se “as ushtria dhe as populli i Egjiptit nuk do të pranonin shpërbërjen e kësaj periudhe të vështirë dhe komplekse”.

Analistët thonë se emocionet janë të përziera dhe kompromisi është një fjalë, që shumë egjiptianë nuk e përdorin dot. Përkrahësit e Morsit vazhdojnë protestat kundër rrëzimit të tij nga pushteti.

Mansur caktoi Hazem El Beblaui si kryeministër të vendit. Ai ka mbajtur postin e ministrit të Financave, gjatë periudhës së regjimit ushtarak, në Egjiptin post-Hosni Mubarak.

Ai deklaroi se do të zgjedhë ministrat, mbështetur mbi eksperiencën dhe efiçencën, por shpjegoi se është e vështirë për të përcaktuar se kur do të përfundojë formimin e qeverisë.

Mansur zgjodhi politikanin liberal, Mohamed El Baradei, si zv/president, me përgjegjësinë e çështjeve ndërkombëtare. Ai ka paraqitur kushtetutën e përkohshme dhe afatin e periudhës së tranzicionit, që do të çonte më pas në zgjedhjet e reja, në fillim të vitit të ardhshëm. Partia ultrakonservatore “Nour” tha se do ta studiojë emërimin e El Baradeit.

“Vllazëria Muslimane kundërshtoi afatet e caktuara për zgjedhjet e ardhshme, duke i konsideruar të paligjshme. Edhe lëvizja Tamarod, që udhëhoqi protestat anti-Morsit deklaroi se nuk ishte konsultuar për planin e zgjedhjeve dhe i kërkoi diskutime presidentit.

Veprimet e ushtrisë u mirëpritën nga disa shtete të Gjirit; Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite garantuan ndihmë financiare. Ndërsa vende të tjera dënojnë veprimet e ushtrisë dhe, prej tyre, më e zëshmja është Turqia.

Top Channel