Egjipt, urdhër-arreste për drejtuesit e “Vëllazërisë”

10/07/2013 00:00

Prokurorët egjiptianë urdhëruan arrestimin e kryetarit të “Vëllazërisë Muslimane”, Mohammed Badie me akuzën e nxitjes së protestave të dhunshme në vend.

Badie akuzohet se nxiti protestën e së hënës kur mbështetës të “Vëllazërisë Muslimane” sulmuan një kazermë ushtarake. Ushtria hapi zjarr ndaj protestuesve dhe të paktën 51 persona u raportuan të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur.

Dhjetra drejtues të tjetrë të “Vëllazërisë” janë arrestuar tashmë, ndërsa për shumë të tjerë, deri tek drejtuesit lokalë të kësaj lëvizje, ekzistojnë urdhër-arreste.

Aktualisht Badie ndodhet ende në Kajro i mbrojtur nga truprojat e tij. Lajmi i transmetuar nga televizioni shtetëror për arrestimin e tij ka nxitur frikën për përshkallëzim të dhunës në vend. Badie ka bërë thirrje për protesta deri në rikthimin e Mohammed Morsi-t në pushtet.

Urdhër-arresti për të mbërrin në një kohë kur kryeministri i përkohëshëm po bën përpjekjet për formimin e qeverisë së re të vendit. Ai ka ftuar në bisedime të gjitha palët, por këto bisedime janë bojkotuar si nga “Vëllazëria Muslimane” ashtu edhe nga liberalët.

“Vëllazëria Muslimane” cilëson rrëzimin e Morsit dhe mbajtjen të izoluar të tij nga ana e ushtrisë si një grusht shteti.

Top Channel