Në Rusi kthehen makinat e shkrimit

11/07/2013 00:00

Kthehen makinat e vjetra të shkrimit mes agjentëve sekretë rusë, pasi
zbulimet e fundit të Edward Snowden kanë treguar brishtësinë e
informacioneve në formë dixhitale.

Shërbimi i gardës federale, FSO, që tutelon sigurinë e personaliteteve më të larta të shtetit, ka hapur një tender për 20 makina shkrimi për një total prej 486 mijë rubli, rreth 11.600 euro.

Lajmi është publikuar në të përditshmen “Izvestia”, e cila citon një ekspert në fushën e sigurisë, që gjithësesi ka preferuar të ruajë anonimatin.

“Pas përhapjes së kabllogrameve diplomatike nga Wikileaks dhe zbulimet e fundit nga Snowden për sistemin amerikan të mbikëqyrjes është marrë vendimi për të futur në përdorim makina shkrimi për të shtypur dokumentet sekrete”, ka deklaruar burimi.

Nga ana e saj FSO nuk e ka komentuar lajmin, por eksperti shton se makinat e shkrimit vazhdojnë të përdoren në disa ministri, si ajo e Mbrojtjes dhe e Situatave të Emergjencës.

Për shembull për raportet që duhet t’i shkojnë ministrit të Mbrojtjes dhe presidentit Vladimir Putin, në cilësinë e komandantit suprem të ushtrisë.

Çdo makinë, saktëson më tej eksperti, ka një shkrim të veçantë dhe dokumenti mund të zbardhet vetëm përmes një ekspertize të caktuar, ndërkohë që mjetet elektronike nuk janë më personale.

Top Channel