Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 91 vota pro dhe 17 kundër kanë
miratuar në parim projektligjin për amnistinë, pas heqjes së nenit 3 të
tij.

Projektligji është mbështetur nga të gjitha partitë, përjashtuar Vetëvendosjen, e cila ka vlerësuar se përmes këtij ligji po amnistohet krimi.

Ishte zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi që bëri prezantimin e tij, duke thënë se për këtë projektligj ka një konsensus më të gjerë dhe më demokratik.

“Në shtetet e konsoliduara ligji vjen si rezultat i një mentaliteti dhe realiteti të shprehur përmes vullnetit të qytetarëve, por në demokracitë e brishta, siç është kjo e jona, natyrisht është ligji që tenton të ndryshojë realitetin. Unë jam i bindur se ky ligj do ta bëjë një gjë të tillë”, tha Kuçi.

Kryetari i komisionit të ligjeve, Arben Gashi kërkoi nga deputetët që ta përkrahnin projektligjin, ndërsa në emër të LDK-së, Haki Demolli shprehu mbështetjen duke thënë se janë bërë ndryshimet e dispozitave të caktuara që ka kërkuar LDK-ja.

“Pikërisht kjo dispozitë iu garanton të gjitha familjeve të të vrarëve, por edhe të gjithë kosovarëve se me këtë ligj nuk do të amnistohet asnjë vrasës, pavarësisht përkatësisë së tij etnike, moshës, etj”, tha Demolli.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ndryshoi qëndrim për këtë projektligj pavarësisht ndryshimeve. Deputetja Albulena Haxhiu bëri thirrje që projektligji mos të votohej.

“Përfundimisht ky projektligj dhe forma e imponuar e miratimit të tij, pra dy lexime për një ditë, tregon qartë se përveçse është i dëmshëm, është edhe i pandryshuar dhe si rrjedhim i papërmirësuar. Prandaj, e vetmja rrugë e pengimit të amnistimit të krimit është vota kundër këtij projektligji. Ndaj ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që mos ta votoni këtë projektligj”, tha Haxhiu.

Ndërsa Ardian Gjini, në emër të grupit parlamentar të AAK-së, tha se në dallim nga projektligji i kaluar, i riu ka provizione shumë të qarta.

Ligji në fjalë rrjedh nga marrëveshja e 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Miratimi i tij vjen pas apeleve të shumta të faktorit ndërkombëtar, përfshirë baroneshën Catherine Ashton, që një ditë më parë vizitoi Prishtinën.

Top Channel