“KQZ cënoi besimin e publikut”

05/08/2013 00:00

Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi të hënën raportin përfundimtar për zgjedhjet e 23 qershorit.
Duke analizuar zhvillimet që lidhen me KQZ-në përpara dhe pas mbylljes së procesit të votimit në raport theksohet se:

“Vendimmarrja e njëanshme dhe pa konsensus, në disa raste, e këtij organi cënoi besimin e publikut dhe të subjekteve zgjedhore ndaj veprimtarisë së tij. Kjo dëmtoi rëndë dhe në mënyrë të pariparueshme disa faza të rëndësishme të procesit zgjedhor, si ndarja e mandateve për zonat zgjedhore, shqyrtimin e ankesave, çertifikimin e zgjedhjeve dhe ndarjen e mandateve sipas rezultatit zgjedhor, etj”.

Raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit konstaton se në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 u shënuan përmirësime të ndjeshme në drejtim të cilësisë së listës së zgjedhjeve, në drejtim të respektimit të proçedurave të procesit të votimit, ashtu dhe në atë të numërimit të votave.

Subjektet zgjedhore, sidomos shumica qeverisëse, thuhet në raport, duhet të mbante më mirë parasysh faktin se OSBE/ODHIR vazhdimisht ka artikuluar kritika për shfrytëzimin e inaugurimeve për qëllime elektorale, ose përdorimin e administratës publike dhe nxënësit e shkollave në veprimtari zgjedhore, gjë që bie ndesh me paragrafin 5 të Dokumentit të Kopenhagenit të vitit 1990.

Në konkluzionet përfundimtare Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se: “Mbetet detyrë e rëndësishme e Kuvendit të Shqipërisë përmirësimi i mëtejshëm i Kodit Zgjedhor, rishikimi i mundësisë për depolitizimin e organeve të administrimit zgjedhor, si dhe përmirësimi i veprimtarisë së tyre në drejtim të ushtrimit të kompetencave që u cakton ligji, veçanërisht në procesin e numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultateve”.

Nga vëzhgimet për rorlin e medias gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, raporti thotë se: “Aksesi i medieve në procesin e votimit e të numërimit të votave ka qenë i mirë. Por nuk kanë munguar dhe incidentet, si ai me kameramanët dhe gazetarët e Top Channel, të cilët janë dhunuar dhe u janë dëmtuar pajisjet”.

Top Channel