Prapaskenat e tjetërsimit të SHQUP

14/08/2013 00:00

Shtëpia Qendrore e Ushtrisë (SHQUP) ka qenë përherë në qendër të
vëmendjes së qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha për të ndryshuar
destinacionin e saj.

Si një ambient në qendër të Tiranës, e lakmueshme për hapësirën e madhe që ka institucioni, qeveria duket se ka menduar më herët që godina e SHQUP dhe ambienti përreth të tjetërsohet, kjo për qëllime biznesi. Sipas burimeve të gazetës “Shqip”, ideja e kryeministrit Sali Berisha për këtë godinë me vlera për ushtrinë ka qenë edhe për t’u privatizuar dhe për ta kthyer atë në një hotel.

Mësohet se ideja është hedhur nga vetë kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimeve me shefat e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, të cilët kanë qenë kohë më parë në detyrë. Sipas burimeve mësohet se Berisha ka pasur një përplasje me ish-shefin e Shtabit, Maksim Malaj, në lidhje me SHQUP-in, për faktin se ai kishte si synim ndryshimin e destinacionit të kësaj godine, duke e tjetërsuar, privatizuar dhe duke e kthyer në një hotel. Mësohet se një ide e tillë është kundërshtuar nga gjeneral Malaj, i cili i ka kërkuar kryeministrit mosndryshimin e destinacionit të godinës së ushtrisë.

Ai i është drejtuar kryeministrit duke u thënë se ushtarakëve vetëm kjo ndërtesë u ka mbetur “në të mirë dhe në keqe”, duke nënkuptuar si për në gëzime dhe në hidhërime. Mësohet se kjo përplasje mes Berishës dhe Malajt ka ndodhur pak muaj përpara se gjenerali të shkarkohej nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ndoshta kjo “artificë”, pengesë, ka qenë edhe një ndër arsyet që sollën shkarkimin e gjeneral Malajt nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Maksim Malaj qëndroi në këtë detyrë deri në korrik të vitit 2011, për t’u zëvendësuar nga Xhemal Gjunkshi.

Kthimi në seli të PD-së

Qeveria “Berisha” është tërhequr nga ideja për ta privatizuar ambientin e ushtrisë shqiptare, duke bërë që objekti i cilësuar si vendi i shenjtë për ushtarakët të tjetërsohet në zyrë partie. Një vendim i fshehur i qeverisë në ikje me kryeministër Berishën ka bërë që së fundmi kjo godinë të kthehet në seli të Partisë Demokratike.

Ky vendim u shoqërua menjëherë me reagime të forta të ish-ushtarakëve dhe të përfaqësuesve më në zë të Partisë Socialiste. Mimi Kodheli, e cila pritet të marrë postin e ministres së Mbrojtjes në qeverisjen e re socialiste, reagoi duke theksuar se do ta anulonte atë.

“Ky vendim është marrë në mungesë të plotë të transparencës. Nuk është shpallur në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Ajo që është më e rënda dhe më e rëndësishmja, është marrë në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës sepse SHQUP-i konsiderohet një unitet ushtarak që është pjesë e një plani të shpërndarjes të FA-së së RSH-së. Duke qenë pjesë e kësaj liste duhet të merret një miratim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht i shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura pa përjashtuar këtu Ministrinë e Mbrojtjes”, deklaron Kodheli. Socialistja, në një intervistë për “Top Channel” bëri të ditur se “kam kontaktuar e Shefin e Shtabit më shumë se një rast dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Gjë që më bën të besoj se ky VKM, i marrë nga qeveria, është plotësisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar”. Ndërsa ish-ushtarakët kanë protestuar fuqishëm ndaj një vendimi të tillë përpara selisë së qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Një nga ushtarakët më të njohur në vend, gjeneral major Sandër Lleshi, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, aktualisht i liruar, shpjegon se tjetërsimi i pronës nuk mund të bëhet lehtësisht, pasi SHQUP-i është një instalim i Forcave të Armatosura dhe bën pjesë në planin e shpërndarjes së tyre. Për ish-zëvendësshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Sandër Lleshi, vendimi për ta transformuar Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, nga një institucion ushtarak në një seli partie, është në shkelje të legjislacionit.

Top Channel