BE për Mandelën

06/12/2013 00:00

Flamuri europian në gjysmë shtizë nderon kujtimin e Nelson Mandelës, simbolit të paqes, lirisë, dinjitetit dhe pajtimit mes miliona njerëzve pa dallim race, siç vlerësojnë krerët e Institucioneve të BE-së.

“Me këtë rast dua të kujtoj mes shumë takimeve me të ndër vite, atë të Marsit 1990, pikërisht ditën e pavarësisë së Namibisë, kur ai nuk ishte ende President i Afrikës së Jugut dhe më shpjegoi disa ide për të ardhmen demokratike jo-racore të Afrikës Jugore. Është një përgjegjësi e madhe për afrikano-jugorët që ta ruajnë këtë trashëgimi të gjallë çdo ditë. Diskutuam për mundësinë e paqes dhe në Angola e Mozambik dhe vende të tjera të Afrikës”, u shpreh presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Në vitin 1988, megjithëse i burgosur, Mandela u nderua me çmimin Sakharov, por vizita e tij e parë në Parlamentin Europian daton në 11 Shkurt 1990. Pak muaj më pas, ai pritet nga Presidenti i atëhershëm i Komisionit, Jacques Delors.

“Forca e Mbrojtjes së Afrikës së Jugut nuk ka të drejtë të vrasë njerëz. Ka mjete ligjore për të mbrojtur njerëzit. Ky është një akt i pastër terrorizmi, i cili u dënua ashpër”, tha atëherë Mandela.

I pari burrë shteti afrikano-jugor që negocioi me Bashkimin Europian çështjet e zhvillimit dhe peshkimit dhe tarifat preferenciale për tregtinë dhe industrinë në 1993 gjatë samitit të BE-së me vendet e Afrikës, Karaibeve dhe Paqësorit, e më pas ai udhëhoqi bisedimet për paqen në Burundi.

“Jemi në prag të rrugëzgjidhjes së madhe që do të sjellë paqen e stabilitetin e përhershëm për një vend ku 250 mijë njerëz, kryesisht civilë të pafajshëm janë therrur. Përkrahja që morëm nga zoti Prodi na vendos në pozitën për të shpëtuar mijëra njerëz nga kjo dhunë e pakuptimtë”, tha Madiba.

Për Nelson Mandelën, ky takim me presidentin e atëhershëm të Komisionit Europian, Romano Prodi, shënon vizitën e fundit zyrtare në Bruksel, më 16 tetor 2001.

Top Channel