Mandela, më 15 dhjetor funerali shtetëror

07/12/2013 00:00

E gjithë bota përgatitet për t’i dhënë lamtumirën Nelson Mandelës. Në Afrikën e Jugut do të udhëtojnë thuajse të gjithë liderët e botës: duke nisur nga presidenti amerikan, Barack Obama, te Mbretëresha Elizabeth, më pas me Dalai Lama, lideri i U2, Bono Vox, Naomi Campbell, si dhe autoritetet më të larta europiane e aziatike.

Por, mbi të gjithë, do të jetë Afrika e tij, ajo që do t’i japë përshëndetjen e fundit, që rrallëherë është kaq e thellë. Më 10 dhjetor përkujtimi solemn në stadiumin e Johannesburgut, ndërsa më 15 dhjetor mbahet funerali shtetëror.

Dhjetë ditë nderime – Ceremonia e datës 10, që do të mbahet nga presidenti Jacob Zuma, do të transmetohet dhe ritransmetohet në të gjithë vendin përmes ekraneve gjigante. Më pas, trupi i pajetë do të ekspozohet nga 11-13 dhjetor te Ndërtesa e Bashkimit, selia e qeverisë së Pretorias. Fluksi, ashtu siç mund të pritet, do të jetë i jashtëzakonshëm. Më 15 dhjetor, varrimi do të bëhet në Qunu, fshatin e dashur të lindjes dhe ku gjithmonë e kishte thënë se do të donte të prehej: shtëpia e fundit e tij do të bëhet një mauzoleum.

Nderimet e gjithë botës – Për babanë e luftës kundër Aparteidit janë ulur në gjysmështizë flamujt e institucioneve europiane, që përkujtojnë kështu vitin 1988, kur atij iu dha çmimi Sacharov i Parlamentit Europian, për lirinë e mendimit, e që u tërhoq vetëm pas lirisë, në fund të 27 viteve të burgimit të tij. Në gjysmështizë janë edhe flamujt amerikanë, të Pallatit të Qelqtë të Kombeve të Bashkuara, të dhjetra vendeve në botë, në një “përqafim” në shenjë mirënjohjeje unanime, e vështirë për t’u ripërsëritur. Kulla Eiffel në Paris u ndriçua me ngjyrat e Afrikës së Jugut.

Mesazhet e ngushëllimit – Mes të parëve që foli, pas lajmit të ndarjes nga jeta të Mandelës, ishte Barack Obama. “Ishte një shembull për jetën time, – tha i përlotur, – sot është kthyer në shtëpi”. “Shembulli i tij frymëzon gjeneratat afrikano-jugore për të vendosur drejtësi dhe më të mirën e përgjithshme në të ardhmen e aspiratave të tyre politike”, shkroi Papa Françesku në një telegram, përmes të cilit kujtonte nga Madiba “impenjimin e tij në promovimin e dinjitetit njerëzor të të gjithë qytetarëve të tij”. Në një mesazh për familjen e liderit afrikano-jugor, Dalai Lama foli për “një mik të dashur, një njeri me kurajo, parime e integritet të padiskutueshme”.

“Air Force One” drejt Afrikës së Jugut

Barack Obama do të niset drejt Afrikës së Jugut javën e ardhshme, për të marrë pjesë në ceremonitë e organizuara për lamtumirën e Nelson Mandelës, heroit që luftoi kundër Aparteidit dhe që ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë në mushkëri. Presidenti amerikan, siç bën të ditur Shtëpia e Bardhë, do të marrë pjesë në eventet përkujtimore të Madibas, së bashku me Zonjën e Parë amerikane, Michelle.

“Trashëgimia e Nelson Mandelës duhet pasur parasysh për të promovuar barazinë dhe për të ndërtuar një botë më të drejtë e më të begatë”, ka thënë Obama gjatë një telefonate drejtuar presidentit aktual të Afrikës së Jugut, Jacob Zuma.

Së bashku me Obamën, do të jenë edhe ish-presidentët e SHBA-ve, Bill Clinton dhe George W. Bush, të gjithë në të njëjtin avion, “Air Force One”, i cili javën e ardhshme do t’i drejtohet Afrikës së Jugut, të shoqëruar këta edhe nga ish-zonjat e para respektive, Hillary Clinton dhe Laura Bush.

Top Channel