Ukraina “flirton” me Rusinë

07/12/2013 00:00

Pak ditë pas refuzimit të Bashkimit Europian dhe duke shpërfillur protestat në vend, presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç njoftoi nisjen e bisedimeve me Rusinë për një “marrëveshje strategjike bashkëpunimi”.

Janukoviç la Kinën ku përfundoi vizitën zyrtare dhe u nis menjëherë drejt Soçit, në jug të Rusisë për të biseduar me homologun rus, Vladimir Putin mbi bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në fund të nëntorit, presidenti ukrainas refuzoi firmosjen e tregtisë me Bashkimin Europian me argumentimin se ekonomia ukrainase nuk është gati dhe i mungon konkurrueshmëria për tregti të lirë me vendet e BE-së.

Ndërkohë në Kiev mijëra protestues vazhdojnë qëndresën e tyre kundër qeverisë së Janukovic duke sfiduar acarin dhe temperaturat ekstreme. Ata janë të zemëruar nga refuzimi i bërë ndaj BE-së pas vitesh të tëra bisedimesh.

Presidenti rus, Vladimir Putin i kërkon Ukrainës t’i bashkohet Bjellorusisë dhe Kazakistanit duke hequr barrierat kufitare në tregti. Kërkesat për hyrjen në këtë union të përbërë nga tre vende shumë herë më të thjeshta nga kërkesat e Brukselit. Muajt e fundit Moska ka vendosur nën presion ekonomik Kievin duke bllokuar importet dhe eksportet në dogana.

Nga ana tjetër, opozita vazhdon protestat. Ish-kryeministrja, Julia Timoshenko nëpërmjet vajzës së saj, Eugenia njoftoi ndërprerjen e grevës së urisë të nisur më 25 nëntor, pas kërkesës së protestuesve në rrugët dhe sheshet e vendit.

“Përpjekjet e tyre për të shitur Ukrainën tek Rusia nuk kanë përfunduar ende. Nëse Janukoviç përpiqet të nënshkruajë me Rusinë marrëveshje mbi doganat, protestat tona do të jenë më të fuqishme, më masive”, deklaroi në parlament Arseni Jatsenuk, njëri prej udhëheqësve të opozitës dhe aleat i Timoshenkos.

Top Channel