Ukraina në unionin doganor rus?

08/12/2013 00:00

Mijëra ukrainas u derdhën në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, Kiev duke rritur presionin ndaj qeverisë së presidentit Janukovic për ndryshimin e kursit politik dhe orientimin drejt Bashkimit Europian.

Protesta ka hyrë në javën e tretë. Përshkallëzimi i saj mbërrin një ditë pas njoftimit nga ana e presidentit Viktor Janukovic për nisjen e bisedimeve me homologun rus, Vladimir Putin për nënshkrimin e një marrëveshje strategjike bashkëpunimi.

Janukovic ka pranuar se refuzoi marrëveshjen e tregtisë me Bashkimin Europian pas kundërshtimit të Moskës, ndërsa argumenton vendimin e tij duke shtuar se ekonomia ukrainase nuk është gati për tregti të lirë me vendet e BE-së.

Presidenti rus, Vladimir Putin i kërkon Ukrainës t’i bashkohet Bjellorusisë dhe Kazakistanit duke hequr barrierat kufitare në tregti. Kërkesat për hyrjen në këtë union të përbërë nga tre vende janë shumë herë më të thjeshta se kërkesat e Brukselit. Muajt e fundit Moska ka vendosur nën presion ekonomik Kievin duke bllokuar importet dhe eksportet në dogana.

Ukraina ka një varësi të theksuar nga gazi rus dhe cështjet e energjisë janë shndërruar në burim tensionesh ndër vite mes dy fqinjëve. Në 2009, Gazprom ndërpreu furnizimin me gaz të Ukrainës duke shkaktuar kaos në furnizimin me gaz, jo vetëm në ish-republikën sovjektike, por edhe në vende të tjera të Europës që marrin gazin rus nëpërmjet gazsjellësve që kalojnë në territorin ukrainas.

Top Channel