Ditë lutjesh për Mandelën

08/12/2013 18:50

E diela ishte një ditë lutjesh dhe reflektimi për Nelson Mandelën, ish-udhëheqësin e Afrikës së Jugut, i cili ndërroi jetë të enjten, në moshën 95-vjeçare.

Në Kishën e Brajanstonit në Johanesburg, presidenti Jakob Zuma u kërkoi bashkëkombasve të mos harrojnë kurrë vlerat që përqafoi Mandela. “Ai luftoi për lirinë, kundër atyre që shtypnin të tjerët. Ai dëshironte që të gjithë të ishin të lirë”.

Në Kishen Katolike “Rexhina Mundi”, në Soueto, prifti Sebastian Rusou e quajti ish-presidentin e ndjerë “dritë në errësirë”. “Madiba, asnjëherë nuk vuri në pikëpyetje dritën. Prej kohës kur Madiba mbylli sytë, afrikano-jugorët i kanë bërë homazh kujtimit të tij”.

Dy pikat kryesore të kujtesës publike kanë qenë shtëpia e Nelson Mandelës në Haton të Johanesburgut dhe shtëpia e tij e vjetër në Soueto.

Qindra njerëz kanë ndezur qirinj atje dhe kanë vendosur buqeta me lule. Arkëmorti i tij do të vendoset në “Ndërtesën e Bashkimit” në Pretoria, të mërkurën, të enjten dhe të premten. Në fund të ditës, ai do të dërgohet në morgun e qytetit dhe njerëzve u është kërkuar të formojnë “rojen e nderit”.

Homazhet do të nisin në stadiumin FNB, në periferi të Johanesburgut, më 10 dhjetor. Më 11-13 dhjetor, miqtë e zgjedhur ndërkombëtarë do t’i japin përshëndetjen e fundit në “Ndërtesën e Bashkimit”.

Më pas, trupi i tij do të transportohet nga baza ushtarake e Waterkluf në Pretoria për në Kepin Lindor. Varrimi do të zhvillohet në fshatin e lindjes, Kunu, më 15 dhjetor.

Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe Zonja e Parë, Mishel Obama, do të marrin pjesë në shërbesën përkujtimore – të martën – së bashku me tre ish-presidentët amerikanë, Xhorxh W Bush, Bill Klinton dhe Xhimi Karter.

Në deklaratën e parë publike, familja e tij e quajti Mandelën një pemë baobabi, që i kish ofruar hije dhe mbrojtje.

Top Channel