Shqiptarja më e pushtetshme në Maqedoni, gruaja e parë kryetare e një bashkie në trevat shqiptare, mbërriti të premten në studion e “Pasdite”-s në “Top-Channel”, në një intervistë eksluzive përballë Ulpiana Lamës.

Si e mundi sëmundjen e kancerit dhe solli në jetë Ilirin? Angazhimi në politikë për të plotësuar dëshiren e babait, ndërsa për herë të parë, kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi shfaq ambicien për të qenë Presidente e Maqedonisë.

Pasdite në “TCH” – E para kryebashkiake femër në trevat shqiptare, por Teuta Arifi njihet edhe për gjëra të tjera që ka bërë si e para…

Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës –  Kur kam mbrojtur dizertacionin e doktoraturës kam qenë e para femër shqiptare që e bëja këtë në vitin 1999, në Tetovë. Kur u zgjodha deputete kam qenë e para grua shqiptare deputete në Maqedoni, mandej e para grua shqiptare zëvendëskryeministre, e më pas e deshi puna të dilja edhe në betejën për qytetin e Tetovës, qyteti i dytë më i madh në Maqedoni dhe me popullsinë më të madhe shqiptare.

Pasdite – E gjitha kjo vjen si shkak e angazhimit politik, diçka për të cilën keni thënë se keni qenë shumë ngurruese në fillim.

Teuta Arifi – Po, është e vërtetë. Në vitin 2001, në periudhën e luftës shqiptare në Maqedoni dhe pas marrëveshjes së Ohrit u takuam disa herë me kryetarin e partisë, Ali Ahmetin. Isha një dekade që punoja në një universitet dhe gjithçka nisi si bashkëbisedim i dy njerëzve që merreshin vesh shumë mirë. Të them të drejtën nuk e kam parë veten në politikën aktive, kam menduar në cilësinë e një profesori në detyrë mund të jepja ndihmesë në procesin e platformave politike, por ka qenë pikërisht insistimi i kryetarit aktual dhe në të njëjtën kohë edhe një përkrahje e madhe e babait tim, ato që më bindën të vazhdoja në këtë rrugë.

Pasdite – Në karrierën tuaj keni marrë pjesë në shumë pritje të rëndësishme e takime, me disa prej njerëzve më të pushtetshëm dhe të kultivuar të globit. Si ndiheni kur kaloni nga ato tavolina, nga bisedat për integrime, në debatin për zgjidhjen e problemit të ujit, kanalizimeve, rrugëve? Si e mendove kur i hyre kësaj pune?

Teuta Arifi – Ishte kryetari im i nderuar, që më pyeti në mund ta konsideroja garën për Tetovën. Në fakt ne na dukej qoftë si parti, një rikthim në qytetin e Tetovës, që është shumë i rëndësishëm për partitë politike shqiptare dhe unë vetë jam tetovare. E nëse e ndien që duhet të bësh diçka më afër për qytetarin, s’është problem i madh nëse lë diçka nga ndonjë punë që mund të duket më komode. Unë asnjëherë nuk i kam dashur punët e lehta, asnjëherë nuk kam zgjedhur rrugën e lehtë, pasi ajo më ka motivuar për të ecur përpara dhe mes të gjithë detyrave që kam kryer, kjo është ajo që më jep më së shumti kënaqësi, pasi jam afër qytetarit e popullit tim…

Pasdite – Të kthehemi në disa nga fotot në katedrat universitare. Një mendimtar thotë se bashkimi intelektual me polikën është kontekstual… Pse nuk u ndale vetëm me ndihëm e dhënë në vitin 2001?

Teuta Arifi – Në radhë të parë, kur i hyn një pune dëshiron të jesh i suksesshëm. Kisha një koncept që ka qenë intelektualizimi i politikës. S’do ta kisha dashur kurrë një politikë jointelektuale, ku duhet të mos kesh disa vlera që të jesh brenda. Unë besoj tek njerëzit që kanë vlera dhe me fuqinë që kam përpiqem që ta bëj këtë. Intelektualët nuk japin gjithçka munden në politikë, për të ruajtur kriticizmin e tyre, por unë besoj se sa më i hapur të jesh aq më shumë sukses mund të kesh.

Pasdite – 11 vjet në politikë, a jeni një grua e pushtetshme?

Teuta Arifi – Po, mund të thuhet tashmë. Pushtetin lokal, burrat në Ballkan e parapëlqejnë shumë. Ekziston edhe shprehja, i pari i katundit, më mirë se i dyti i qytetit. Ka një të vërtetë dhe këtë pushtet e parapëlqejnë pasi shumë gjëra janë në duart e kryetarit, por unë mendoj se çelësi i suksesit është delegimi i pushtetit drejt kompetentëve, të cilëve i kalohet një pjesë e pushtetit për të dhënë një shërbim sa më të mirë.

Pasdite – Aristoteli ka thënë se pushteti të korrupton ose të bën të marrë. E keni këtë frikë?

Teuta Arifi – Nuk druhem për këtë moment. Unë i kam bërë zgjedhjet e mia në jetën time dhe ato zgjedhje nuk kanë qenë të lehta, por kanë qenë shumë të vështira. Kur bën zgjedhje të jesh në këtë botë ose jo, këto gjërat e vogla që blihen e shiten në pazar s’të bëjnë më përshtypje…

Pasdite – (Zonja Arifi u diagnostikua me kancer gjiri kur ishte katër muajsh shtatzanë me fëmijën e saj të dytë, me Ilirin. Ndonëse mjekët i rekomanduan të dështonte djalin, për të nisur menjëherë kurat, Arifi vendosi të rrezikonte jetën e saj dhe të niste kurat vetëm pas lindjes së djalit. Në një insert të një interviste dhënë disa vite më parë për “E Diell”, shfaqet pjesa kur ajo flet për këtë situatë). Ti ke dy fëmijë, Elzën dhe Ilirin. Me cilin keni qenë shtatzanë kur u diagnostikuat me tumor?

Teuta Arifi – Me Ilirin, që ka bërë 4 vjeç dhe është një djalë që shkon shumë i komunikueshëm dhe i vendoëur. Në atë emision që sapo patë, flokët nuk kanë qenë të miat, s’kam pasur aspak flokë si rezultat i kimioterapisë dhe për herë të parë e pashë që nuk kisha vetulla, kur makiazhistja juaj më mori t’i vizatonte. Aty vërejta që edhe ato kishin shkuar. Megjithatë, kam pasur një vullnet të jashtëzakonshëm për të luftuar pasi dy javë pas lindjes nisa kimion dhe në fakt jam jashtëzakonisht e gatshme, kur një grua më drejtohet për ta vizituar dhe për ta përkrahur. Mos ta zgjadhim me koncepte metafizike, jeta nuk është diçka që ne e zotërojmë, është diçka që e kemi dhuratë, mirëpo kur lufton për çdo ditë që e jeton, ajo është luftë e çdo të mbijetuari prej kancerit dhe e di shumë mirë vlerën e jetës për vete dhe për të tjerët. Ndaj, në procesin e jetës dëshiron të japësh dhe të lësh trashëgimi që vlen për të gjithë, e kjo është arsyeja përse gjithçka e bëj me entuziasëm dhe gëzim të madh.

Pasdite – Në peripecitë që keni kaluar, një ndihmë të madhe ka dhënë edhe bashkëshorti juaj… Shpendi.

Teuta Arifi – Tashmë kemi kaluar 18 vjet bashkë. Para 18 vitesh, unë kalova në Shkup dhe kur fituam zgjedhjet në Tetovë, duke qenë se jam nga Tetova, të katërt u kthyem atje dhe jetojmë të katërt në apartamentin tonë. Ai është gjykatës në gjyqin ekstrem, jurist i pakompromis, që nënkupton se kur i jep një dilemë të natyrës juridike, sqarimi që më jep është pakompromis, ndërsa ne të politikës e kemi qejf kompromisin. Për mua, në radhë të parë është një mik i madh. E kam njohur pas një emisioni televiziv, kur më ftoi një gazetare maqedonase, pasi dëshironte një grua shqiptare. Ishte një emision shumë tendencioz, në vitin 1993 dhe pas tij më mbërriti një telefon në shtëpi. Unë nuk isha, por nëna më tha se kishte marrë një avokat, i cili donte të më takonte. Kështu nisi gjithçka me Shpendin, pas takimit që realizuam pak kohë më pas. Sa për mbiemrin kemi bërë negociata, me mua që mbaj mbiemrin tim, ai të vetin, ndërsa fëmijët kanë të dy mbiemrat tanë…

Pasdite – Ju keni edhe një lidhje tjetër jo kaq të njohur me televizionin, keni punuar në media.

Teuta Arifi – Kam punuar si korrespondente e “Deutsche Welle”. Kam pasur kolegë të nderuar, që ishin me origjinë nga Shqipëria dhe punonin në qendër atje në Kehl. Ka qenë një punë që e kam dashur shumë. Më ka rënë të raportoj për dy ngjarje me shumë rëndësi, njëra Lufta e Kosovës, duke qenë se shumë refugjatë kosovarë kaluan në Maqedoni e natyrisht lufta jonë dhe pas 2001, kur vendosa për angazhim politik, ishin dy profesione jokomplementare me njëra-tjetrën.

Pasdite – Ju keni pasur marrëdhënie të afërta edhe me Veton Surroin?

Teuta Arifi – Kur kam qenë studente, unë kam studiuar në Prishtinë. Në vitin 1991 jam diplomuar, ndërsa nga viti 1990, Vetoni filloi të botonte javoren “Koha” dhe në javoren “Koha” u mblodhën shumë bashkëmendimtarë për të shkruar, prsh Eqerem Pasha, Shkëlzen Maliqi, Arbër Xhaferri, Ylber Hysa. Ka qenë një gazetë shumë alternative e unë kisha një faqe që quhej “femina” e tekset e mia quheshin radikale feministe, por lexoheshin shumë. Ka qenë një periudhë shumë e bukur, ndërsa marrëdhëniet me Vetonin kanë mbetur shumë korrekte.

Pasdite – Si e përjetoni marrëdhënien e ndezur mes partive shqiptare në Maqedoni. Ti si grua intelektuale që ke njohur Arbër Xhaferrin, duke qenë krahu i djathtë i Ali Ahmetit, keni tentuar pajtimin?

Teuta Arifi – Unë mund të flas në radhë të parë për politikat e mia që kam pasur në Tetovë. Me ardhjen time si kryetare e komunës, faktikisht ka pasur zero revanshizëm partiak, që do të thotë nuk kemi vrapuar të realizojmë disa forma më të hershme që kemi parë më parë, me heqje pune të punonjësve të administratës me një parti tjetër, por kemi pasur një qasje ku profesionaliteti të ketë përparësi. Unë nuk jam nisur të gjykoj askënd për pikëpamjet e tij politike dhe nuk është e imja si kryetare e të gjithë qytetarëve që të bëj diferencime ideopolitike, pasi mjaft ne shqiptarëve na e kanë bërë të tjerët dhe nuk ka nevojë t’ia bëjmë vetes… Normalisht, unë kam njohur dhe respektuar të ndjerin Xhaferri, e kam njohur nga koha e studimeve, kemi punuar dhe shkruar për të njëjtën gazetë, kemi diskutuar dhe debatuar për shumë çështje, kemi debatuar për zgjidhjen e çështjeve shqiptare në Maqedoni në mënyrë teorike dhe kjo ka qenë një kënaqësi e madhe. E kam thënë që angazhimi im, është që në partitë politike shqiptare, pa marrë parasysh elementin e luftës për pushtet, të mbetet elementi i xhentilizmit në politikë.

Pasdite – Viheni përpara një sprove, ajo e fillimit të procesit të zgjedhjes së presidentit, çfarë pritet të ndodhë?

Teuta Arifi – Ne si parti kemi diskutuar për këtë çështje dhe kemi menduar për një ide, një mundësi të një presidenti konsensual, një formulë ku partitë shqiptare dhe partia maqedonase që ka shumicën do të arrinte një marrëveshje paraprake për natyrën e profilin e kandidatit që më parë. Në raundin e parë, partitë shqiptare dalin me kandatin e tyre, por të gjithë e dimë që është shumë e vështirë të kalojmë në raundin e dytë, e aq më shumë të fitojmë. Ajo që do të ndodhë varet nga çfarë natyre do të marrë biseda politike, e për këtë do të kemi kohë deri në fund të janarit, por rëndësi ka që profili të jetë përfaqësues për të gjithë qytetarët.

Pasdite – A mund të jetë presidenti një femër?

Teuta Arifi – Sigurisht që po, por nëse është tendenca për t’u drejtuar nga unë, unë kam marrë obligim ndaj qytetarëve të Tetovës dhe dua këtë mandat, të paktën këtë ta kryej deri në fund në shërbim të tyre.

Top Channel