Dita e Topit të Artë

13/01/2014 00:00

Është dita e Topit të Artë me Cristiano Ronaldon favorit ndaj Ribery e Messi. Në ceremoninë e dhënies së këtij çmimi, që do të mbahet në Pallatin e FIFA-s në Zyrih, parashikohet të jepen edhe dy Topa të Artë të tjerë: një për Nelson Mandelën dhe një tjetër për Eusebion.

Ceremonia do të nisë në orën 19:00 dhe në të do të jenë të pranishëm edhe shumë ish-kampionë të cilët do të prezantojnë edhe Botërorin e ardhshëm. FIFA ka ftuar disa nga kampionët më të mëdhenj brazilianë (Pele, Amarildo, Carlos Alberto, Bebeto, Cafu dhe Ronaldo) dhe yje të tjerë si Franz Beckenbauer dhe Zinedine Zidane.

Të dielën, Pele deklaroi në Zyrih se çmimin do e marrë Cristiano Ronaldo: “Cmimi kryesor do të shkojë për Cristianon.”

Gjithashtu, legjenda braziliane e futbollit, i cili kurrë nuk e ka fituar këtë çmim pasi në kohën kur luante ai Topi i Artë jepej vetëm për lojtarët europianë, zbuloi se FIFA do i japë një Top të Artë honorifik.

“FIFA ka vendosur të më nderojë me një Top të Artë nderi. Duke qenë se jam i vetmi futbollist që ka fituar 3 Kupa Bote, mendoj se duhet të më japin edhe 3 të tjerë që të më kompensojnë siç duhet”, tha Pele.

Top Channel