Platini: FIFA e ka ndryshuar “Topin e Artë”

14/01/2014 00:00

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, beson se “Topi i Artë” ka pësuar një ndryshim negativ, që kur FIFA mori të drejtën e dhënies së këtij çmimi.

Cristiano Ronaldo u shpall fituesi i këtij çmimi për vitin 2013, gjatë ditës së hënë, përpara dy pretendentëve të tjerë, Lionel Messi dhe Franck Ribery, duke koleksionuar trofeun e dytë personal të këtij çmimi prestigjioz në total, por të parin, që pas shkrirjes së dy çmimeve të vjetra, atë të “France Football” dhe atë të “Lojtari më i mirë i FIFA-s”.

Edhe pse Platini e pranon se Ronaldo ishte një fitues i denjë, ai beson se dështimi i Ribery për t’u shpallur fitues i këtij trofeu, pasi udhëhoqi Bayern Munchen drejt një “triplete” historike në vitin 2013, provon edhe njëherë se sukseset me ekipin nuk po merren më në konsideratë, kur hidhen votat për këtë çmim.

“Ronaldo është një fitues i denjë për ‘Topin e Artë’, por jam shumë i zhgënjyer dhe ndiej keqardhje për Franck Ribery”, tha ai për “L’Equipe 21”.

“E them seriozisht: vitin tjetër, apo pas dy vitesh, ky çmim do të fitohet sërish nga Messi apo Ronaldo. Për 50 vjet, mendoj se ‘Topi i Artë’ merrte në konsideratë rezultatet dhe trofetë, ndërsa tashmë duket se po lihen pas dore. Mendoj se, nëse Franck nuk arriti ta fitonte këtë çmim personal gjatë një viti, kur ai fitoi të gjithë titujt e mundshëm, atëherë ky është një problem, ashtu siç ishte një problem edhe për lojtarët e kombëtares së Spanjës në vitin 2010. Ka diçka që ka ndryshuar ‘Topin e Artë’, që kur e drejta e këtij çmimi iu dha FIFA-s”.

Platini, si lojtar, e ka fituar 3 herë radhazi “Topin e Artë”, nga viti 1983-’85.

Top Channel