“Gjepali”, 30 të shoqëruar

17/01/2014 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka cilësuar të rëndë ngjarjen
kriminale të Rrogozhinës ku mbetën të vrarë dy persona, mes të cilëve
dhe një nga emrat e njohur të botës së krimit në vend, si dhe u plagosën
dy të tjerë.

“Ishte një ngjarje e rëndë, për shkaqe që tashmë dihen, për shkak edhe karrierës të theksuar kriminale të personave të përfshirë. Jemi në hetim, të shohim”, tha Tahiri.

Hetimet për zbardhjen e ngjarjes kanë vijuar me intensitet gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që shërbimet e policisë kanë shoqëruar mbi 30 persona për të dhënë dëshmi që mund të çojnë në zbardhjen e atentatit.

Në pyetje janë marrë dhe punonjës të burgut të Peqinit, si dhe të dënuar të këtij burgu në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se informacioni mbi datat dhe orën e kthimit të Gjepalit në burg, të kenë dalë pikërisht nga persona të stafit të burgut ose të dënuar të tjerë.

Burime policore bëjnë të ditur se në funksion të hetimit janë sekuestruar për llogari të prokurorisë së Kavajës edhe pamje filmike të kamerave të sigurisë së subjekteve, që ndodhen pranë vendbanimit të Astrit Gjepalit, në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit, si dhe përgjatë rrugës që ka përshkuar automjeti. Grupi i hetimit synon që nga pamjet synohet të vëzhgohen mjetet që mund ta kenë shoqëruar në distancë makinën me të cilën Gjepali po udhëtonte drejt vendit të vuajtjes së dënimit në përfundim të lejes 7-ditore. Dyshohet se autorët e atentatit janë mbështetur dhe nga një tjetër automjet që ka ndjekur lëvizjet e benzit me të cilin udhëtonte Gjepali me dy kunetërit, Halil Ficin, qe mbeti i vrare dhe Ilirian Sulkjën që u plagos. Ne atentatin e 16 janarit u plagos dhe 23-vjeccari Maringlen Balliu, banor i zones.

Ministri Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit morën pjesë në analizën vjetore të punës së policisë së qarkut Durrës, në territorin e së cilës kanë ndodhur muajt e fundit disa krime të rënda.  

PD: Policia jashtë funksionit

Duke iu referuar krimit ku u vra i dënuari Astrit Gjepali, Partia Demokratike tha se Policia e Shtetit eshte jashtë loje, pasi ministri i Brendshëm e ka shndërruar në një polici partike, të cilën e komandon vetë. Sipas tij deputetit demokrat Gent Strazimiri, krimi mafioz ishte i mirëorganizuar, ndërsa policia nuk kishte asnjë lloj informacioni.  

“Vrasja është një ngjarje tipike mafioze, e mirëorganizuar, qartësisht e mirëpërgatitur dhe koordinuar nga një grup i strukturuar. Ndërkohë, publikisht ministri i brendshëm, pyetjeve ne lidhje me ngjarjen me te fundit, iu përgjigj me “nuk e di”, “nuk mund ta parashikonim”, “nuk na kishin informuar”.Ministri minimalisht duhej të kishte njoftuar se personat përgjegjës në Policinë e Shtetit, ne Drejtorinë përkatëse te Burgut apo ne te dyja bashke kane zënë vendin e lënë bosh nga viktima, në Burgun qe i dha “lejen” tragjike.
Opinioni publik ndjen cdo ditë e me tepër faktin që ndërkohë që kjo qeveri po çorganizon Policinë e Shtetit, krimi po organizohet me shpejtësi marramendëse duke përgjakur çdo cep të vendit. Ky është çmimi që shoqëria po paguan, për shpartallimin e Policisë së Shtetit me largimet e paligjshme të profesionisteve, dhe zëvendësimin e tyre me numëruesit dhe financuesit e PS, të cilët të vetmen “certifikatë profesionale” e marrin në zyrën përkatëse të PS, ku dhe aplikojnë.Kjo është Rilindje e krimit, jo e shtetit!  Kjo është Rilindje e vdekjes, jo e jetës!” tha deputeti Strazimiri.

Top Channel