Partia Demokratike njofton se në datë 20 shkurt do të organizojë një
protestë popullore në shenjë reagimi për situatën ekonomike dhe të
rendit.
Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, kryetari Lulzim Basha ftoi qytetarët që në 23-vjetorin e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, të jenë pjesë e një manifestimi, për situatën e rëndë, që sipas Bashës, po jetojnë sot qytetarët.
Në fjalën e tij, Basha theksoi se faktet tregojnë se ekonomia e vendit është sot e kërcënuar më shumë se kurrë dhe se papunësia ka prekur për herë të parë numrin e 186 mijë personave. “Rama premtoi 300 mijë vende të reja pune, kur deri në shtator duhet të jenë hapur 70 mijë të tilla”, u shpreh Basha.
Kreu i PD-së kërkoi rishikimin e politikave për pensionet, bujqësinë dhe për njerëzit në nevojë.
“Qëndrimi ynë është se paketa amatoreske e Qeverisë do ta çojë ekonominë për herë të parë drejt krizës ekonomike”, tha Basha.
Sipas tij, demokratët do të vijojnë me prezantimin e alernativave, perspektivave realiste për rrugët që duhet të ndiqen për shpëtimin e ekonomisë.
Top Channel