Basha, thirrje për protestën e 20 shkurtit

12/02/2014 00:00

Përpara se muajin e ardhshëm të nisë procesi i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha ka nisur një tur të ri kombëtar me qëllim nxitjen e anëtarësimeve të reja në forcën më të madhe të opozitës.

Kjo është faza e parë e procesit dhe për kryetarin Basha kjo periudhë është përcaktuese për të ardhmen e Partisë Demokratike.

“Ndihet dëshira dhe vetëdija për bashkimin e ribashkimin e kontributeve nga themeluesit tek më të rinjtë. Ndihet dëshira e rikthimit që mund të jenë ftohur gjatë viteve, por ndjejnë që shtëpia e tyre e vërtetë i thërret. Ndihet kudo era e hapjes”, ka deklaruar Basha.

Ajo që kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar prerazi se nuk do të tolerojë është mbyllja e derës për këdo që i afrohet Partisë Demoratike.

“Jam i bindur se ju jeni të vetëdijshëm se nga ky proces varet ringritja, varet fitorja. E gjithë anëtarësia e PD, aktive ose jo duhet të kontaktohet, të ftohet për të rinovuar dokumentacionin. Nuk duhet të ndodhë që të dëgjoj për neglizhencë apo keqdashje. Direktiva ime është e qartë dhe pa ekioivoke, bashkim dhe ribashkim, anëtarësim pa i mbyllur derën askujt. Më të mirët duhet të vijnë tek ne. Në shkollë, në punë, në shoqëri, në familje dhe pastaj e gjithë familja”, ka thënë Basha.

Sipas zotit Basha, vetëm në këtë mënyrë Partia Demokratike do të jetë gati të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme. Por kjo nuk do të thotë se opozita do të presë deri në zgjedhje për të bërë për vete qytetarët.

Kryetari i Pasrtisë Demorktike përfitoi nga rasti për t’i ftuar ata të marrin pjesë në marshimin e protestës më 20 shkurt, kundër asaj që opozita e quan mashtrim të qytetarëve nga qeveria dhe paligjshmëria e saj.

“Çdo ditë po bëhet më keq. Është absurde t’i japësh kohë të keqes. Ne nuk presim dhe fërkojmë duart që e keqja të shkojë deri në fund. Të ndalojmë të keqen që të mos na marrë frymën, pa pritur zgjedhjet e radhës. Paralajmërimi kësaj qeverie t’i vijë në marshime e protesta. Ata që ndajnë me ne bindjen se kjo qeveri del mbi ligjin, të vijnë në marshimin e protestës. Të vijnë në marshim kundër papaunësisë, kundër rritjes së taksave, kundër gjobave të paligjshme, kundër megamashtrimit për shëndetësi falas. Ne nuk do ta lëmë qeverinë të bëjë shurdhin kur të shohë mijëra qytetarë në protestë”, ka shtuar Basha.

Top Channel