“Çdo shqiptar ka arsye të jetë në shesh”

13/02/2014 00:00

Në Elbasan, kryetari i PD, Lulzim Basha, nuk kërkoi as më shumë e as më pak nga demokratët, por vetëm përkushtim dhe mirënjohje ndaj çdokujt, që rikthehet në Partinë Demokratike, dhe ndaj çdokujt, që afrohet si anëtar i ri në forcën më të madhe të opozitës.

“Duke garantuar që era e re e hapjes në PD të kthehet në një gjenerator të madh burimi, shprese dhe frymëzimi, për të gjithë anëtarët e rinj dhe të vjetër të partisë sonë”, u shpreh Basha.

Duke u bërë të qartë strukturave, se nuk do të tolerojë asnjë sjellje, që mban larg qytetarët nga Partia Demokratike, kryetari Lulzim Basha konsideroi jetik, për procesin e ringritjes së forcës më të madhe të opozitës, afrimin e të rinjve.

“Ky afrim i brezit të ri është sinjali më i qartë që shoqëria shqiptare i jep partisë sonë. PD, nëpërmjet hapjes, bashkimit dhe ribashkimit e shumëfishon dhe e rikthen fuqishëm këtë sinjal shprese dhe besimi, si vendosmëri për të ecur përpara në luftën politike për kthimin në pushtet”, theksoi Basha.

Këto takime me strukturat në bazë po i shërbejnë kryetarit të PD për të nxitur njerëzit, në qytetet e mëdha të vendit, të marrin pjesë në marshimin protestë të 20 Shkurtit, ditë e cila, sipas zotit Basha, nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarën, por edhe me të ardhmen e shqiptarëve.

“Më 20 Shkurt, demokratët anembanë Shqipërisë, nga sheshi historik “Skënderbej”, dhe bashkë me ta edhe të gjithë shqiptarët, do t’ia bëjnë me dije Edi Ramës dhe Ilir Metës, se riciklimi i Enver Hoxhës ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, e po kështu ka marrë fund riciklimi i antivlerave, me të cilat po qeverisin. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë, nuk mund t’i rikthehen kulturës së sundimit të vendit dhe qytetarëve përmes mashtrimeve. Ne do të protestojmë më 20 Shkurt edhe për mashtrimet e 23 Qershorit. Nuk mund dhe nuk do ta pranojmë kultin e mashtrimit, kundër së cilës do të jetë edhe protesta e 20 Shkurtit”, përfundoi Basha.

Top Channel