Aksidenti i Kukësit, vdes i plagosuri

13/02/2014 00:00

Ka ndërruar jetë mbrëmjen e së enjtes një nga personat e plagosur në aksidentin fatal të 8 shkurtit, në aksin rrugor Kukës-Shishtavec.

Lajmin e bëjnë të ditur burime spitalore, sipas të cilave në repartin e traumës ka ndërruar jetë shtetasi Petrit Mustafa, 26 vjeç.

Burimet saktësojnë se pas vdekjes trupi i të ndjerit Mustafa është nisur për në Kukës, në qytetin e tij pranë familjarëve, disa prej të cilëve ishin në spital në momentet e fundit.

Aksidenti i 8 shkurtit, në të cilin fillimisht humbën jetën 6 persona, ndodhi në vendin e quajtur Ura e Topojanit. Automjeti doli nga rruga rreth orës 6.45 minuta të mëngjesit të së shtunës, kohë në të cilën salla operative e policisë së Kukesit ishte njoftuar nga një kalimtar i rastit.

Viktimat, tha policia lokale, ishin banorë të së njëjtës zonë, si edhe të afërm me njëri-tjetrin, ndërkohë që tre prej tyre ishin nga e njëjta familje.

Policia e Kukësit njoftoi se viktimat ishin Fehim Biba 58 vjeç, Zykri Shehu 65 vjeç, Zamir Karanxha 42 vjeç, drejtuesi i mjetit Bashkim Çuni 21 vjec, kunata e tij Majlinda Çuni, e cila raportohet se ishte shtatëzënë dhe Meleqe Serani.

Të njëjtën ditë, por disa orë më vonë, një tjetër aksident tragjik u mori jetën pesë personave në aksin nacional Sarandë-Qafë Botë. Dy automjete u përplasën ballë përballë me njëra-tjetrën në vendin e quajtur Ura e Bogozës.

Viktimat e aksidentit, sipas policisë, ishin Petro dhe Kristo Meçi, atë e bir; vëllezërit Fejzo dhe Krenar Sulo, si dhe shtetasi Taip Madani, i cili rezultoi se kishte kaluar në korsinë e gabuar me shpejtësi të lartë.

Top Channel