“Rinia nuk pranon mashtrimin”

16/02/2014 00:00

Përpara aktivit të zgjeruar të Tiranës, kryetari demokrat Lulzim Basha e ka nisur thirrjen për pjesëmarrje në marshimin protestë në 20 shkurt me atë që ai vlerëson se ka spikatur ndër betejat e tij politike: “Ankthi i kryeministrit mbetet beteja e Tiranës e vitit 2011 që bashkë e luftuam dhe bashkë e fituam!”

Duke e shoqëruar me improvizim në sallë të anëtarësimeve në PD të të rinjve, Basha e veçoi si mesazh shumë të rëndësishëm për të dhe Partinë Demokratike numrin e lartë të të rinjve që po anëtarësohen në këtë forcë politike. Në momentin kur nuk jemi as në prag zgjedhjesh dhe as në pushtet, tha Basha, aplikimet e të rinjve për t’iu bashkuar kësaj force politike janë tregues i pakënaqësisë së lartë nga keqqeverisja.

Për kreun demokrat, afrimi i të rinjve në PD është tregues i një realiteti të ri: “Një nisje e re dhe e fuqishme nëpërmjet një PD-je të bashkuar dhe të ripërtërirë. Po hipotekojmë që tani një të ardhme të re që do të jetë demokracia e re.”

Duke i mëshuar portretizimit të pushtetit aktual, të cilin ai e quajti qeveri oligarkësh, të paaftë dhe arrogante, me politika ekonomike konfuze dhe përkeqësim të ndjeshëm të mirëqenies së qytetarëve, Lulzim Basha ka ftuar qytetarët në marshimin e 20 shkurtit në orën 14, si shenjë e mospajtimit të fortë me këto tregues tha ai.

“Të gjithë për t’i përcjellë mesazhin dhe paralajmërimin bashkimit Rama-Meta se paligjshmëria, arbitrariteti, mashtrimet dhe papërgjegjshmëria refuzohen prerazi dhe me neveri nga ne. Tirana do të jetë e para në shesh më 20 shkurt”, tha Basha.

Top Channel