Rrëzohet avioni sportiv, plagoset shqiptari

10/03/2014 00:00

Një avion sportiv ultra i lehtë është rrëzuar pasditen e së dielës në
afërsi të fushës së aviacionit të qytetit të Alessandrias, rreth 90 km
larg Torinos.

Përplasja ka shkaktuar vdekjen e një pasagjereje, shtetase rumune dhe plagosjen e rëndë të pilotit, një 33 vjeçar-shqiptar me banim prej rreth dhjetë vjetesh në Itali. Aktualisht ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të mëdha në të dyja këmbët dhe mjekët ende e konsiderojnë në rrezik për jetën.

Megjithë ndërhyrjen e menjëhershme të ndihmës mjekësore, nuk pati asnjë mundësi shpëtimi për gruan që fluturonte me të.Sipas dëshmive të para avioni, i nisur nga fusha e fluturimit të Casale ku ndodhet aeroklubi Palli ku bënte pjesë, është goditur nga një erë e fortë dhe nuk ka arritur të rimarrë kuotën e nevojshme për të mos u përplasur me pemët.

Avioni ka rene gati mbi kangjellat  rrethuese të një banese. Një prej hipotezave është avaria e mjetit, aq më shumë që si të afërmit e pilotit, ashtu edhe përfaqësues të aeroklubit, bëjnë të ditur se drejtuesi i avionit kishte përvojë të gjatë fluturimi  dhe është shumë i matur e i kujdesshëm.

Top Channel