NATO, avionë zbulimi në kufi me Ukrainën

10/03/2014 19:50

NATO do të dërgojë avionët e saj të zbulimit në Poloni e Rumani, për të monitoruar krizën ukrainase. Një zëdhënës i Aleancës konfirmoi se plani ka marrë dritën jeshile, por fluturimet e avionëve “Awacs” do të kryhen vetëm në territor aleat.

Ky vendim vjen në kohën kur Rusia po çimenton kontrollin e saj në Krime, përpara referendumit të 16 Marsit.

“Awacs”-ët kanë një farë aftësie për të mbikqyrur automjetet në terren, megjithatë misioni kryesor i tyre do të kufizohet te verifikimi i situatave, ndërsa bazat e fluturimit do të jenë në Gjermani dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Zyrtarë të Aleancës argumentojnë se fluturimet e zbulimit do të rrisin ndërgjegjësimin e saj për situatën.

Vendimi i NATO-s, sipas zëdhënësit – emri i të cilit nuk është bërë i ditur, – është një hap në drejtimin e duhur dhe një veprim i përgjegjshëm në linjë me nismën e Aleancës Atlantiko-Veriore për të intensifikuar vlerësimin e pasojave, që kjo krizë mund të ketë për sigurinë e saj.

Shtetet e Bashkuara janë përpjekur t’i garantojnë aleatët europianë për mbështetjen e tyre, duke dërguar 6 avionë “F-15” shtesë për misionin e NATO-s në republikat balltike, e do të nisin gjithashtu edhe 12 avionë luftarakë “F-16” për stërvitjen ushtarake në Poloni.

“Awacs”-ët, apo siç i quajnë ndryshe ‘sytë flutures’ të Aleancës ushtarake, bëjnë pjesë tek avionët më të sofistikuar të saj. Ata përmbajnë një sistem radarësh, i cili mund të diktojë, identifikojë e gjurmojë një avion armik, apo edhe çdo lloj kërcënimi tjetër nga toka e ajri.

Njoftimi i NATO-s erdhi pak orë pasi persona të armatosur me uniforma ushtarake mësynë spitalin e Simferopolit, ku marrin trajtim mjekësor ushtarë e veteranë ukrainas. Disa prej pacientëve raportohet të jenë në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore.

Top Channel