Rusët marrin spitalin në Krime

10/03/2014 00:00

Makineria e diplomacisë është vënë në lëvizje për të shmangur përshkallëzimin e situatës në Ukrainë, e sidomos në Krime, por në gadishullin pro-rus provokimet nuk mungojnë.

Persona të armatosur, sipas raporteve në media ‘ushtarë rusë’, e forca të milicisë lokale kane marrë nën kontroll një spital ushtarak, teksa Moska vazhdon të shtrëngojë darën e saj në mbarë zonën.

Agresorët kanë hyrë me forcë në spitalin e kryeqytetit rajonal Simferopol, duke kërcënuar stafin e pacientët e tij.

Trupat mbështetëse të Moskës po mbajnë gjithashtu të bllokuar nëpër kazerma ushtarët ukrainas në mbarë Krimenë, ndërsa “Reuters” raporton për të shtëna gjatë marrjes së një baze të marinës në Bakhchisarai.

Lëvizjet e fundit vijnë në mesin e përgatitjeve për referendumin e së dielës, ku banorët e gadishullit do të shprehin vullnetin e tyre për bashkimin ose jo me Rusinë.

Kievi dhe vendet perëndimore e konsiderojnë votimin të paligjshëm dhe një ditë më parë, pikërisht në 200-vjetorin e poetit dhe heroit kombëtar të Ukrainës, Taras Shevchenko, kryeministri i përkohshëm ukrainas, Arseniy Yatsenyuk u betua se nuk do të heqë dorë nga asnjë centimeter territor i vendit.

“Ne do t’i mposhtim e do të triumfojmë. Kundër Ukrainës, kundër popullit tonë, kundër familjeve tona dhe të ardhmes sonë europiane, vendi fqinj me ne ka ndërmarrë një agresion ushtarak. Përgjigja që kemi për Federatën Ruse është një e vetme: uniteti, besimi, përkushtimi dhe bindja se po shkojmë në drejtimin e duhur”, tha ai.

Edhe pse Gjermania nuk është ithtare e masave të ashpra ndaj Moskës, Kancelarja Angela Merkel i kërkoi sërish Rusisë të mbështesë krijimin e një grupi ndërkombëtar kontakti për të zgjidhur krizën në Krime.

“Koha për një përpjekje të tillë për bisedime dhe marrëveshje nuk pret”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.

Megjithatë, pala ruse – sipas tij – nuk ka treguar ende “gatishmërinë e nevojshme”. Deri tani, Moska refuzon që të bisedojë me udhëheqjen e re në Kiev legjitimitetin e së cilës thotë se nuk e njeh.

Javën e kaluar, Bashkimi Europian miratoi një plan masash ndaj Rusisë, nëse ajo nuk tërhiqet nga Krimea.

Sanksionet e bllokut parashikojnë kufizime të udhëtimit, si edhe bllokime të llogarive rrjedhëse për persona të caktuar përgjegjës në konfliktin e Ukrainës, edhe pse Brukseli vazhdon t’i mëshojë idesë, që linja e bisedimeve nuk duhet braktisur.

Top Channel