Ukraina në kërkim të parave

11/03/2014 00:00

Miliarda dollarë mendohet se kanë dalë nga Ukraina në mënyrë të
paligjshme, gjatë 3 viteve të fundit, kur vendi udhehiqej nga Viktor
Janukoviç.

Qeveria e re është e vendosur për t’i gjetur, ndërsa Uashingtoni është i gatshëm të ndihmojë. Agjentë të FBI-së dhe Departamentit Amerikan të Thesarit mbërritën në Kiev, për t’u ardhur në ndihmë udheheqesve të përkohshëm, në zbulimin e krimeve financiare.

Ambasadori amerikan në Ukrainë, Geoffrey Pyatt tha: “Ne jemi shumë të interesuar të punojmë me qeverinë ukrainase për të mbështetur hetimet e ketyre krimeve financiare dhe këtu në Ukrainë gjenden ekspertë nga FBI-ja, Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Thesarit, të cilët po punojnë me homologët e tyre ukrainas, për të mbështetur hetimet e vendit”.

Zyrtarët ukrainas thonë se më shumë se 20 miliardë dollarë, në rezerva ari mund të jenë vjedhur dhe 37 miliardë të tjera në formë kredish janë zhdukur. Gjatë tre viteve të fundit, më shumë se 70 miliardë dollare kanë dalë nga sistemi financiar i Ukrainës dhe u janë depozituar në llogari bankare jashtë vendit.

Vendi kërkon kthimin e ketyre parave, ndersa buxheti qeveritar u rendua nga borxhet qe kane arritur ne 75 miliarde dollarësh. Monedha e Ukrainës humbi më shumë se 20 % të vlerës së saj këtë vit. Pas trazirave politike edhe ekonomia po ndeshet me vështirësi. Një grup i Fondit Monetar Ndërkombëtar është në Ukrainë për të negociuar, detajet e një pakete 15 miliardë dollarëshe për ekonominë në vështirësi.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 1 miliardë dollarë në garaci huash, për të ndihmuar në vendosjen e ekuilibrit financiar. Një nga udhëheqësit e revolucionit të sheshit Maidan, Sergey Poyarkov, paralajmëron se huatë e dhëna nga Shtetet e Bashkuara ose vendet evropiane tani duhet të monitorohen me kujdes.Qeveria e përkohshme caktoi Tetyana Chornovol, një gazetare investigative, e rrahur gati për vdekje në dhjetor për raportimin e saj, për të udhëhequr përpjekjet për gjetjen e miliardave të vjedhura.

Top Channel