Vazhdon misteri i avionit

12/03/2014 00:00

Me pistat e hetimit, që bien njëra pas tjetrës, dhe trysninë ndërkombëtare në rritje, autoritetet gjenden përballë nevojës së ngutshme për të dhëna të reja, që do të ndihmonin lokalizimin e avionit të zhdukur malajzian.

Në mesin e morisë së skenarëve të diskutuara gjerë e gjatë, zyrtarët amerikanë vijnë me një hipotezë të papërmendur deri më tani: piloti mund të jetë vetëvrarë.

“Bëjini pyetje vetes, – i tha “Washington Post”-it një drejtues i lartë në aviacionin amerikan, i cili nuk është i autorizuar të bisedojë për këtë çështje publikisht. – Të gjitha kartat janë të hapura në tryezë, shihni çfarë iu dikton logjika. Edhe pse është tmerrësisht e rrallë, që një pilot të vrasë veten dhe të gjithë të tjerët në bord, precedentë ka pasur, më i fundit jo më larg se Nëntori i vitit që shkoi”.

Nga të dhënat e administratës së Aviacionit Federal në Shtetet e Bashkuara, rezulton se në këto dy dekada, 24 pilotë amerikane kanë vrarë veten gjatë fluturimit. 23 prej tyre e kanë përplasur qëllimisht mjetin e vet, ndërsa një pilot i ri, ende në faze mësimi, është hedhur nga aeroplani, kur ky i fundit ishte ende në ajër.

Pjesa dërrmuese e pilotëve të vetëvrarë ishin të moshës së mesme. Asnjëri prej tyre nuk pilotonte ndonjë avion të madh, por nuk ka ndodhur e njëjta gjë edhe jashtë kufijve amerikanë.

Nëntorin e 2013-s, një “Jet E-190” i “Mozambique Airlines”, me 33 pasagjerë në bord, u rrëzua në Namibi.

Aksidenti nuk pati asnjë të mbijetuar dhe ngjalli kureshtje të madhe, sepse avioni nuk kishte me shumë se një vit në përdorim e drejtohej nga një pilot me mjaft eksperiencë, në kushte tepër të favorshme atmosferike.

Më vonë u mësua se piloti e kishte rrëzuar mjetin qëllimisht, e kishte pritur pikërisht momentin kur ndihmësi ishte larguar për pak kohë nga kabina.

Përpara kësaj, tragjeditë ndoshta më të përfolura të së njëjtës natyre ishin rrëzimi i një avioni, me mbi 100 udhëtarë dhe anëtarë ekuipazhi në 1997-n, në Indonezi dhe rënia dy vjet më vonë në Atlantik e një avioni të nisur për në Kajro, ku humbën jetën 217 vetë.

Top Channel