BB: 3 mld dollarë për Ukrainën

12/03/2014 00:00

Pak pas deklaratës së presidentit të përmbysur ukrainas, Viktor Yanukovych, se ndihmat financiare amerikane për qeverinë në Kiev janë ilegale, sepse as vet Kushtetuta amerikane nuk e lejon financimin e banditëve, Banka Botërore vendosi të ndihmojë gjatë këtij viti Ukrainën e kërcënuar nga falimentimi me rreth tre miliardë dollarë.

Kreu i saj, Jim Yong Kim, deklaroi se qeverisë ukrainase i nevojitet mbështetje për realizimin e reformave të domosdoshme dhe një rritje e qëndrueshme ekonomike.

Paratë e premtuara kërkojnë edhe miratimin e bordit drejtues të institucionit më të rëndësishëm financiar, i cili vlerëson se “ekonomia e Ukrainës gjendet përballë sfidash të mëdha”.

Qëllimi i Bankës Botërore është, që me këto ndihma ta forcojë sistemin bankar ukrainas, të nxisë reformat në sektorin e energjitikës dhe të luftojë korrupsionin. Ekzekutivi i ri i vendit vlerëson se vetëm gjatë këtij viti nevojiten rreth 15 miliardë dollarë.

Si pasojë e krizës së Ukrainës, edhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u ka premtuar mbështetje vendeve të Balltikut: Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

“Gjermania, BE dhe NATO janë solidare me këto vende, të gjendura aktualisht në një situatë tepër të veçantë, sepse prej saj ngjallet frika nga kërcënimet”, tha Steinmeier, pas një takimi me homologun nga Estonia, Urmas Paet.

Paet u shpreh se agresioni i Rusisë në Ukrainë e ka ndryshuar situatën e sigurisë në mbarë Europën.

Më herët, Yanukovych fajësoi kundërshtarët e tij për krizën në gadishullin e Krimesë, duke theksuar se vazhdon të mbetet presidenti dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të vendit.

Top Channel