Ukrainë, presidenti: Rusia po refuzon negociatat

12/03/2014 00:00

Liderët rusë po refuzojnë çdo mundësi negociatash me homologët e tyre ukrainas, bëri të ditur presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turchynov. Ai tha për agjencinë e lajmeve AFP se Ukraina nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Krime, edhe pse referendumi për shkëputje që pritet të mbahet atje është një mashtrim.

Ndërkohë, kryeministri i përkohshëm, Arseniy Yatsenyuk, do të udhëtojë drejt SHBA-ve për t’u takuar me presidentin Barack Obama. Të enjten, ai do të flasë para Këshillit të Sigurisë të OKB-së, në New York.

“Ne nuk mund të nisim një operacion ushtarak në Krime, sepse do të ekspozonim kufirin tonë lindor, atë që na ndan me Rusinë, dhe Ukraina nuk do të ishte e mbrojtur”, tha Turchynov për AFP.

Ai shtoi se referendumi i së dielës në Krime, me anë të të cilit populli i gadishullit do të vendosë nëse do të bëhen pjesë ose jo e Rusisë, ishte një “provokim”, që duhet bojkotuar nga shumica e popullit.

“Forcat ruse nuk kanë ndërmend të mbajnë një referendum, ata thjesht do të përpiqen të falsifikojnë rezultatin”, tha ai. Presidenti shtoi se, në të njëjtën kohë, qeveria ruse po refuzon përfshirjen në dialog me Ukrainën.

“Fatkeqësisht, për momentin Rusia po refuzon një zgjidhje diplomatike të konfliktit”, tha ai për AFP. “Ata po refuzojnë të gjitha kontaktet në Ministrinë e Jashtme dhe në nivelet më të larta qeveritare”.

Turchynov, më herët gjatë së martës, bëri thirrje për krijimin e Gardës Kombëtare për të mbrojtur vendin dhe për të dhënë mbështetje ndaj 6000 trupave që janë gati për të luftuar. Ai tha se forca duhet të përfshijë vullnetarë me eksperiencë ushtarake, që do të vihen përballë agresioneve të brendshme dhe të jashtme.

Presidenti foli, ndërkohë që Moska njoftoi ushtrime të tjera ushtarake, përfshi këtu 4000 trupa paraushtarakë, ndoshta ushtrimet më të mëdha të këtij lloji në 20 vitet e fundit.

Ndërkohë, kryeministri Arseniy Yatsenyuk do të niset për në SHBA të mërkurën dhe pritet të takohet me presidentin Obama në të njëjtën ditë, në Shtëpinë e Bardhë.

Korrespondentët thanë se Yatsenyuk pritet të diskutojë për detajet e paketës së ndihmës prej 35 miliardë dollarësh, që ai thotë se ekonomia e lëkundur ukrainase ka nevojë, për të mbijetuar përgjatë 2 viteve të ardhshme.

Top Channel