Ukraina, “G7” kërcënon Rusinë

12/03/2014 15:20

Drejtuesit e shtatë vendeve më të industrializuara të botës, të grupuara në “G7”, i bënë thirrje Rusisë që të ndërpresë të gjithë përpjekjet e saj për të aneksuar rajonin ukrainas të Krimesë.

Në një deklaratë, “G7” paralajmëroi që nëse Moska do të ndërmarrë këto hapa rrezikon “një ndëshkim individual dhe kolektiv” prej grupit.

Liderat e “G7”, gjithashtu theksuan se nuk do të njohin rezultatet e referendumit që do të zhvillohet në Krime në fundjavë, ku banorët vendas do të zgjedhin nëse të qëndrojnë me Ukrainën apo t’i bashkohen Rusisë.

Ndërkohë, duke folur veçmas nga grupi G7, presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se, “do të detyrohet të aplikojë pasoja nëse Rusia nuk ndryshon kursin e saj”.

Obama foli pas një takimi me kryeministrin e përkohshëm të Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Uashington.

“Në kuadër të impaktit ndaj unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, aneksimi i Krimesë mund të ketë pasoja të rënda për rendin ligjor që mbron unitetin dhe sovranitetin e të gjitha shteteve”, u shprehën ata në një deklaratë të përbashkët.

Obama dhe Yatsenyuk thanë se referendumi i së dielës, përmes të cilit u kërkohet qytetarëve të Krimesë nëse duan të jenë pjesë e Rusisë apo Ukrainës, nuk ka asnjë efekt ligjor duke qenë se procesi është një shkelje direkte e kushtetutës së Ukrainës.

“Duke parë mungesën e përgatitjeve dhe praninë e trupave pro-ruse, ai do të jetë një proces difektoz që nuk do të ketë forcë morale”, thanë më tej dy liderët në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë, shefi i Sigurisë Kombëtare të Ukrainës paralajmëroi se një grumbullim i madh ushtarak rus është duke ndodhur pranë kufirit.

Andriy Parubiy theksoi se Moska nuk i ka tërhequr trupat siç deklaroi pas përfundimit të manovrave ushtarake më parë gjatë muajit, e zhvilluar pranë kufirit lindor të Ukrainës.

“Ushtria ruse është vetëm 2-3 orë marshkim larg Kievit”, theksoi Parubiy.

Në fjalën e tij, shefi i sigurisë gjithashtu shtoi se ushtarët ukrainas janë të pozicionuar dhe të gatshëm për të zmbrapsur çdo mësyjme të mundshme që mund të ndodhë “nga çdo drejtim mbi vendin”.

Top Channel