SHBA, në krah të Ukrainës

13/03/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka mirëpritur kryeministrin e përkohshëm të Ukrainës në Shtëpinë e Bardhë, si dhe u angazhua për “të qëndruar në krah të Ukrainës” në tensionet e saj me Rusinë.

Ai paralajmëroi presidentin rus, Vladimir Putin, se komuniteti ndërkombëtar “do të detyrohet të aplikojë kostot” e veprimeve ruse, nëse Rusia nuk tërheq ushtarët e saj nga Krimea. Më herët, edhe liderët e grupit të kombeve G7 lëshuan të njëjtin kërcënim.

Kryeministri ukrainas, Arseniy Yatsenyuk, duke folur përpara takimit me Obama-n, tha se Ukraina “nuk do të nënshtrohet kurrë” para Rusisë. “Është absolutisht e papranueshme të gjenden trupa ruse në tokën ukrainase në shekullin e 21, gjë që shkel të gjitha marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare”, tha ai.

Apelet diplomatike ndaj Moskës vijnë përpara referendumit të së dielës në Krime, me anë të së cilës qytetarët atje do të pyeten nëse duan të qëndrojnë me Ukrainën apo t’i bashkohen Rusisë.

Ushtria ruse dhe persona të armatosur pro-rusë lëvizën duke zaptuar pika strategjike në Krime, – një rajon autonom i Ukrainës, popullsia e të cilit është kryesisht rusë etnikë, – në fund të muajit Shkurt pas rrëzimit të presidentit Viktor Yanukovych.

Presidenti Obama tha se SHBA-të “kanë qenë tepër të qartë se ne e konsiderojmë inkursionin e Rusisë në Krime, përtej bazave të saj, se është në shkelje të ligjeve ndërkombëtare”. “Kemi qenë të palëkundur kur jemi shprehur se do të qëndrojmë në krah të Ukrainës dhe popullit ukrainas, për të siguruar se integriteti territorial dhe sovraniteti do të respektohen”, shtoi ai.

Në lidhje me bisedimet e planifikuara mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Londër gjatë së premtes, Obama tha se shpreson që përpjekjet diplomatike të rezultojnë në një “rimendim të procesit”. Por, ai theksoi se nëse Moska “vazhdon në rrugën e ndjekur këto ditë, atëherë jo vetëm ne, por i gjithë komuniteti ndërkombëtar… do të detyrohen të aplikojnë kostot e shkeljes së ligjeve ndërkombëtare nga ana e Rusisë, si dhe cënimet që i ka shkaktuar Ukrainës”.

Ai nuk shpjegoi se çfarë do të përfshijnë këto kosto, por Uashingtoni ka bllokuar tashmë vizat për disa figura të larta të Rusisë, si dhe ka kërcënuar për ngrirjen e aseteve të tyre, por edhe të të tjerëve.

Obama tha gjithashtu se SHBA-të “do të refuzojnë tërësisht” rezultatin e referendumit të Krimesë, duke thënë se ai është zhvilluar gjithashtu në një situatë “nxitimthi”.

Kjo ishte mbështetje publike e mbështetjes së Amerikës për qeverinë e përkohshme ukrainase, por ende është e paqartë se çfarë, nëse do të ketë diçka, do të detyrojë Rusinë të ndryshojë kursin e ndjekur deri më tani.

Ndërkohë që Obama dhe Yatsenuyk zhvillonin bisedime, Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan votoi për të autorizuar 1 miliardë dollarë garanci huadhënieje për qeverinë e re të Ukrainës, si dhe lejuan SHBA-të të vendosin sanksione ndaj zyrtarëve rusë dhe ukrainas.

Top Channel