Ukraina formon Gardën Kombëtare

13/03/2014 15:25

Në prag të referendumit, në të cilin Krimea do të përcaktojë nëse do të mbetet pjesë e Ukrainës ose nëse do të bashkohet me Rusinë, Kievi miratoi të enjten krijimin e një trupe prej 60 mijë vetash të Gardës Kombëtare.

Sipas Ukrainës, një lëvizje e tillë do të ndihmojë për të garantuar më mirë integritetin territorial.

Krijimi i Gardës Kombëtare vjen ndërsa raportohet për një grumbullim masiv të forcave të ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën.

Gjatë ditës, presidenti Obama, në një takim me kryeministrin ukrainas, parashtroi mbështetjen e tij të plotë për Kievin, në krizën në të cilën është përfshirë.

Megjithatë, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, këmbëngul se vendi i tij nuk është për t’u fajësuar për këtë krizë.

Në qëndrimin e Kremlinit, Moska po vepron vetëm për të mbrojtur interesat e ligjshme të qytetarëve rusë në Ukrainë, të kërcënuar nga forcat pro-fashiste dhe qeveria e re e paligjshme e vendit.

Nëse referendumi do të përcaktojë bashkimin me Rusinë, SHBA dhe BE kanë paralajmëruar Moskën për sanksione të ashpra, të cilat do të hyjnë në fuqi që në fillimin e javës së ardhshme.

Top Channel