Misteri i avionit, kërkimet në javën e dytë

15/03/2014 00:00

Një operacion gjigant ndërkombëtar po vazhdon të kërkojë avionin e fluturimit MH370 të “Malaysia Airlines”, një javë pasi aeroplani me 239 pasagjerë në bord u zhduk nga radarët.

Kërkimet janë fokusuar në zonën e Perëndimit të gadishullit malajzian. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një anije të Marinës dhe një aeroplan vrojtues për të kërkuar zonat e Gjirit të Bengalit, Detin Andaman dhe pjesë të Oqeanit Indian.

Informacionet e fundit flasin se avioni mund të ketë vazhduar fluturimin për të paktën 5 orë të tjera, pasi u zhduk nga radarët. Besohet se fluturimi nga Kuala Lumpur drejt Pekinit ka dërguar sinjale automatike një sistem satelitor, shumë kohë pasi kontakti me radarit u humb, bën të ditur BBC.

Aeroplani pati kontaktin e fundit me kontrollit e trafikut ajror mbi Detin e Kinës Jugore, në lindje të Malajzisë.

Gjithsesi, BBC ka mësuar se sistemi satelitor i kontrolluar nga kompania e telekomunikacioneve Inmarsat, me seli në Londër, ka marrë një sinjal automatik nga fluturimi MH370 të paktën 5 orë pasi aeroplani u raportua i humbur.

Sipas specialistëve të shkencës bëhet e ditur se sinjali mund të jetë dërguar vetëm nëse aeroplani ka qenë ende i paprekur dhe i ndezur, gjë që shpjegon edhe faktin se përse ekipet e kërkimit janë fokusuar tashmë në Oqeanin Indian.

Më herët, mediat amerikane cituan zyrtarë të paidentifikuar të thoshin se “Boeing 777” ka kërkuar të dërgojë sinjal te satelitët disa orë pas kontaktit të fundit me kontrollorët e trafikut ajror. Kjo i çoi kërkuesit të besojnë se aeroplani mund të ketë fluturuar më shumë se 1600 km përtej pikës së fundit të konfirmuar nga radarët.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka konfirmuar se ekipet amerikane kanë kthyer vëmendjen në Oqeanin Indian për shkak të “informacioneve të fundit”, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Marina indiane, forcat ajrore dhe roja bregdetare janë përfshirë tashmë në kërkime, pas një kërkese nga qeveria malajziane. Zëdhënësi i Marinës indiane, DK Sharma, tha të premten se 6 anije dhe 5 avionë janë vënë në lëvizje në Detin Andaman.

Autoritetet malajziane thanë më vonë se Komanda Lindore e Marinës indiane po kontrollonte një hapësirë detare prej 9000 km katrorë, që gadishulli Chennai-t.

Top Channel