Referendumi në Krime, MPJ: Ilegjitim

15/03/2014 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme së Republikës së Shqipërisë ka reaguar
lidhur me referendumin që pritet të zhvillohet në Krime në datën 16 mars
duke e cilësuar atë të rrezikshëm dhe të paligjshëm.

Në një deklaratë për mediat, MPJ thekson se ky referendum është i paligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Ukrainës dhe të drejtën ndërkombëtare dhe nuk mund të shërbejë si bazë për asnjë ndryshim të statusit të Krimesë.

“Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje Federates Ruse që të ndalojë veprimet në mbështetje të kësaj iniciative të rrezikshme, destabilizuese që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës.

Ministria e Puneve të Jashtme dënon me force çdo pretendim, se deklarimi i pavarësisë së Krimesë duhet të trajtohet në mënyrë të njëjtë si deklarimi i pavarësisë së Kosovës. Keqpërdorimi i Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, për të justifikuar ligjshmërinë e referendumit të propozuar në Krime, nuk ka asnje bazë ligjore dhe asnjë ngjashmëri të rrethanave historike dhe faktike.

Nderkaq MPJ bën thirrje që palët të drejtohen menjëherë drejt zgjidhjes paqësore të këtij konflikti, nëpërmjet dialogut të drejtëpërdrejtë dhe instrumenteve diplomatike dhe të kufizohen nga akte të njëanshme dhe retorika që rrisin tensionet”, thuhet në njoftimin e MPJ.

Top Channel