Moskë, protestë kundër Kremlinit

15/03/2014 00:00

Mijëra persona kanë marrë pjesë në një manifestim në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, për të kundërshtuar ndërhyrjen e vendit në çështjet e Ukrainës, një ditë para se në Krime të votohet për t’u bashkuar ose jo me Rusinë.

Duke mbajtur flamuj të Rusisë dhe Ukrainës, protestuesit kanë bërtitur: “Pushtimi i Krimesë, turp për Rusinë”. Ndërkohë, një miting me përmasa të vogla është mbajtur nga mbështetësit e Moskës diku tjetër.

Moska zyrtare mbështet votimin e së dielës në Krime, të cilin Ukraina dhe Perëndimi e cilësojnë ilegjitim. Nga ana e tij, Kievi zyrtar deklaron se “provokues” rusë fshihen pas përleshjeve në lindje të Ukrainës.

Tre persona kanë vdekur në protestat pro dhe kundër Moskës në qytetet Donetsk dhe Kharkiv, me palët që fajësojnë njëra-tjetrën.

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në gadishullin e Krimesë, pjesë e Rusisë deri në 1954 dhe strehë e flotës së Detit të Zi, erdhi pas rënies nga pushteti të presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych më 22 shkurt.

Kjo erdhi pas muajsh të tërë protestash, të shkaktuara nga vendimi i Yanukovych për të mos nënshkruar marrëveshjen për marrëdhënie më të ngushta me Bashkimin Evropian, duke zgjedhur Rusinë. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe BE kanë kërcënuar me sanksione të forta ndaj Moskës.

Pas vrasjes së dy personave të premten në Kharkiv, kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Aresnij Yatsenyuk deklaroi në faqen e tij në Facebook: “Provokues të paguar nga shteti fqinj po luajnë një rol në këtë situatë dhe po përgatisin provokime serioze”.

Top Channel