Mbahet referendumi në Krime

16/03/2014 00:00

Votuesit në Krime do t’i përgjigjen dy pyetjeve në fletën e votimit: nëse do të jenë pjesë e Rusisë apo e Ukrainës, por me më shumë autonomi mbështetur në Kushtetutën e 1992. 

Referendumi është cilësuar “i paligjshëm” nga Kievi dhe Perëndimi, por është mbështetur nga Moska. Raportohet për një pjesëmarrje të lartë në kryeqendrën Simferopol. Zyrtari i Komisionit të Zgjedhjeve, Mikajlo Malishev, tha se “është një pjesëmarrje që thyen çdo record”, prej 44.27 % vetëm pas gjashtë orësh votimi.

Kryeministri pro-rus i Krimesë, Sergei Aksionov, duke votuar tha: “Siç mund ta shikoni, njerëzit po votojnë lirisht. Nuk ka probleme në qendrat e votimit. Nuk po ndjej apo nuk shikoj se po ushtrohet presion”.

Në një qendër të tejmbushur në Sevastopol, një votuese 66-vjeçare e përshkruan këtë si një ditë feste dhe se mezi pret të kthehet në shtëpinë e saj, duke iu referuar Rusisë. Votuesit, siç shkruajnë mediat ndërkombëtare, me shumë gjasa do ta braktisin Ukrainën, megjithëse tartarët e Krimesë do të bojkotojnë procesin. 1200 qendrat e votimit u hapën në orën 08.00 të mëngjesit dhe do të mbyllen pas 12 orësh.

Mbi 1.5 milionë kanë të drejtë vote. Rezultatet e para pritet të bëhen publike pak pas mbylljes së referendumit. 135 vëzhgues të huaj nga 23 vende të botës dhe 1240 monitorues lokalë mbikqyrin referendumin. Ndërsa, në rajonin jugor kanë mbërritur 2500 gazetarë nga e gjithë bota.

Rusët etnikë përbëjnë shumicën apo pjesën dërrmuese të rajonit, 58.5%.  Parlamenti i Ukrainës votoi për shpërndarjen e Asamblesë Rajonale të Krimesë. Të premten, ministri i Jashtëm rus, Sergei Llavrov, tha se do të respektohet vullneti i popullit.

Rajoni i Krimesë ishte pjesë e Rusisë deri në vitin 1954. Aty ndodhet dhe Flota Ruse e Detit të Zi, por Moska ka nënshkruar disa marrëveshje, përmes të cilave ka premtuar ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës. Më herët, Rusia i vuri veto rezolutës së OKB-së për referendumin. Dokumenti i hartuar nga Shtetet e Bashkuara u mbështet nga 13 anëtarët, u abstenua nga Kina dhe mori veton e Rusisë.

Pekini ka deklaruar se mbështet integritetin territorial të Ukrainës. SHBA dhe BE kanë premtuar vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve rusë nëse do të zhvillohej referendum.

Top Channel