E gjithë bota në kërkim të avionit

16/03/2014 00:00

Të paktën 25 vende u përfshinë në operacionin e kërkimit për gjetjen e avionit të humbur, që u zhduk një javë më parë. Zona e kërkimit, që shtrihet nga Azia në Oqeanin Indian, përfshin sipërfaqe të gjera toke dhe deti.

Pjesëtarë të ekuipazhit, pasagjerë, nëpunës të kompanisë ajrore, po hetohen, pasi u konfirmua se avioni është sekuestruar. Hetuesit po përpiqen të mbledhin të dhena nga radarët e secilit prej vendeve, mbi të cilët mund të ketë flutuar avioni “Boeing 777” i kompanisë “Malaysia Airlines”, me 239 pasagjerë në bord.

Zyrtarët malajzianë po kontaktojnë Kazakistanin, Uzbekistanin, Kirgistanin, Turkmenistanin, Pakistanin, Bangladeshin, Indinë, Kinën, Mianmarin, Laosin, Vietnamin, Tajlandën, Indonezinë, Australinë dhe Francën.

Policia po përpiqet të hedhë dritë mbi jetën familjare dhe gjendjen psikologjike të pilotit të avionit, Zaharie Shah, dhe pilotit të dytë, Farik Abdul Hamid, duke bërë kontrolle në shtëpitë e tyre. Ekspërtët po hetojnë simulatorin e fluturimit, që mbante në shtëpi piloti.

Ata që e njihnin Zaharie-n këmbëngulin se ai është një familjar i rregullt. 53-vjeçari, me një eksperiencë prej 18 mijë orësh fluturim, e quante veten “i fiksuar pas aviacionit” dhe kishte postuar disa foto të simulatorit, të cilin kishte krijuar në shtëpinë e tij.

Kryeministri malajzian, Naxhib Razak, tha se duke iu referuar të dhënave nga satelitët, “Boeing 777” kishte vazhduar fluturimin për shtatë orë të tjera, pas regjistrimit të fundit në radarë. Ai shtoi se avioni mund të ndodhej nga Kazakistani në Oqeanin Indian. Të dy korridoret janë njësoj të rëndësishëm, nënvizoi ai.

Avioni u nis më 8 Mars, në 00:40 minuta, me orën lokale dhe u zhduk nga ekranet e kontrollit të trafikut ajror në 01:20 minuta. Një prej sistemeve të komunikimit, “Sistemi i Komunikimit dhe Raportimit”, i njohur si ACARS, ishte çaktivizuar përpara se avioni të arrinte bregun lindor të Malajzisë.

ACARS është një sistem, i cili u lejon kompjuterave në bordin e avionit të flasin me kompjuterët e tjerë në tokë dhe të japin informacion, mbi atë që cilësohet si “gjendja shëndetësore e sistemit”.

Fill pas kësaj, në mes të Malajzisë dhe Vietnamit, një prej transmetuesve që lëshon sinjale identifikimi është fikur. Sipas një radari të ushtrisë, avioni është kthyer dhe ka flutuar sërish mbi Malajzi dhe pas kësaj ka marrë drejtimin veri-perëndimor.

Një prej satelitëve ka perceptuar një sinjal të avionit në orën 08:11 minuta, me orën lokale, çka do të thotë shtatë orë pasi kishte humbur lidhjen me radarët, megjithëse pa mundur të përcaktojë një vendndodhje të saktë.

Top Channel