Përse nisi kriza e Ukrainës?

16/03/2014 00:00

“Çfarë çoi në përgjigjen e Rusisë”. Gazetari i BBC-së, Richard Galpin, e nis analizën e tij duke iu referuar deklaratës së deputetit rus, Vyacheslav Nikonov, i cili thotë:

“Rusia është kundër grushtit të dhunshëm të shtetit në Ukrainë, muajin e kaluar, e cila u drejtua kryesisht nga amerikanët, qëllimi i të cilëve ishte ta çonin Ukrainën në NATO. Kjo është vija e kuqe për Rusinë, e cila e konsideron këtë një kërcënim ekzistencial dhe do të bëjë gjithçka të mundur për ta parandaluar”.

Në mesin e vorbullës së akuzave dhe kundërakuzave, që lidhen me krizën e Ukrainës, fjalët e Nikonov-it Galpin i cilëson si “momentin e rrallë të qartësisë mbi frikërat thelbësore, që po udhëheqin politikën ruse, që kur dukej se presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, do të rrëzohej nga protestat në Kiev”.

Në një shikim të shkurtër në hartën e Europës Lindore, kupton domethënien strategjike të një vendi të madh, siç është Ukraina. Nga këndvështrimi i “banorëve aktualë të Kremlinit”, siç shkruan Galpin, Ukraina është një prej vendeve-kordonë, që garanton një zonë buferike mes Rusisë dhe Europës, e veçanërisht ish-vendeve të Bllokut Lindor, që janë aktualisht anëtarë të NATO-s.

Dhe për këtë, me frikën e humbjes së bazës detare në Krime, që garanton hyrjen ne Detin Mesdhe të Flotës ruse të Detit të Zi, është thuajse e paevitueshme, që Moska do të bënte një lëvizje dramatike.

Duke folur në Sochi, të enjten, presidenti rus Vladimir Putin përsëriti se nuk ishte Rusia, që e nisi krizën. Sa u takon kërcënimeve nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara, për vendosjen e më shumë sanksioneve nëse Rusia anekson Krimenë, ka një përgjigje njësoj të zbehtë: “Rusia është ekonomia e pestë në botë dhe ka një ushtri të fortë – thotë Vyacheslav Nikonov. – Nëse do të ketë sanksione, do të ketë dhe kundër-sanksione. Jetojmë në një botë shumë të bashkuar – tha Nikonov – dhe nuk do t’i rekomandoja dikujt t’i vendoste sanksione Federates Ruse, sepse pasojat do të ishin jo vetëm të këqija për Rusinë, por për këdo”.

Por, është edhe një frikë tjetër, që duket se po udhëheq fushatën e pandalur për të minuar revolucionin e Ukrainës. Është shqetësimi – shkruan Richard Galpin – se një revolucion i suksesshëm në kufijtë e saj do të nxisë grupet opozitare në Rusi, duke forcuar besimin e tyre se protestat masive kundër qeverive autoritare mund të shënojnë sukses.

Kështu, propaganda se revolucioni çon në kaos dhe fashizëm shërben si një paralajmërim për vetë Rusinë. Në të njëjtën kohë, mundësia për ta ripasur Krimenë i ka shtuar përfitim Kremlinit, me rritjen e popullaritetit, në një masë domethënëse në radhët e popullsisë ruse.

Por, – siç thotë Galpin – në rrugët e Moskës ka plot njerëz të shqetësuar për ndërhyrjen ruse në Krime, dhe për referendumin atje.

Top Channel