“Përdorim anti-kushtetues i ushtrisë”

14/04/2014 00:00

Përdorim anti-kushtetues i Forcave të Armatosura. Ky është thelbi i dy padive më të fundit dorëzuar në Prokurori nga Ministria e Mbrojtjes,  e cila përbën një akuzë që nuk është ngritur kurrë më parë gjatë 23 viteve të fundit.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes është shumë i rezervuar në informacion për këtë çështje. Duke iu referuar njoftimit mësohet se dy dosjet e dorëzuara në Prokurori lidhen me përdorimin e Forcave të Armatosura në kundërshtim të hapur me misionin e tyre kushtetues.

Ministria e Mbrojtjes thotë se e mbështet këtë akuzë në shkeljen e dy ligjeve: ligjin “Për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe të ligjit që rregullon pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe të drejtimit strategjik të Forcave te Armatosura.

Njoftimi shumë i shkurtër i Ministrisë së Mbrojtjes nuk thotë kur është përdorur ushtria në kundërshtim me Kushtetutën. Por autoritetet në Ministrinë e Mbrojtjes thonë se cështja është shumë e ndjeshme që përmban informacione sekrete të sigurisë kombëtare, prandaj nuk janë dhënë detaje të tjera.

Por Top Channel ka mundur të sigurojë nga burime jo zyrtare se në dy dosjet e fundit implikohen zyrtarët më të lartë të Ministrisë së mbrojtjes dhe ushtrisë. Paditë janë në ngarkim të ish-ministrit Arben Imami, ish-shefit të shtabit Xhemal Gjunkshi, ish-shefit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ylli Zyla, por të përfshirë, sqarojnë burimet ka edhe persona të tjerë.

Veprat penale për të cilat këta zyrtarë akuzohen nga Ministria e Mbrojtjes janë ato të shpërdorimit të detyrës, shpërdorimit të kontributeve të dhëna nga shteti. Nga informacionet paraprake mësohet se shpërdorimi detyrës prej këtyre zyrtarëve lidhet me  përdorimin e ushtrisë gjatë fushatës elektorale të 23 Qershorit 2013.

Përfshirja në këtë akt-padi e ish-drejtorit të SHIU-t Ylli Zyla sipas burimeve besohet se lidhet me përdorimin e pajisjes së përgjimit, e cila u përshkrua nga opozita e djeshme si pjesë përbërëse e një “Ëatergati Shqiptar”.

Në urdhërin e blerjes që mban firmën e ministrit Imami thuhet se pajisja do të shërbejë në mbështetjen me inteligjencë të kontigjenteve të Forcave të Armatosura jashtë vendit.
Por është zbuluar se pajisja në asnjë rast nuk është përdorur në operacionet paqeruajtëse shqiptare në Afganistan apo Irak.

Një tjetër fakt interesant i zbuluar ka të bëjë me mos ekzistencën e asnjë proces-verbali në arkivën e Ministisë së Mbrojtjes për përdorimin e pajisjes, fakt që sipas ekspertëve hedh dyshime për një asgjesim të dokumentacionit prej drejtuesve të SHIU-t të cilët përdornin laptopin e përgjimit.

Ekspertët kanë mbërritur në përfundimin se pajisja ka qënë funksionale pas blerjes, por sipas burimeve nuk është gjetur asnjë dokument përmes të cilit të jetë njoftuar NATO për blerjen e saj.

Ajo që mund të jetë një fakt i rëndë lidhet me zbulimin e ekspertëve për fshirjen e memories së paisjes  më 27 Qershor 2013, vetëm katër ditë pas zgjedhjeve të përgjithëshme.
Sipas tyre ky fakt sugjeron se pajisja ka qënë në përdorim gjatë fushatës elektorale.

Deputetët e opozitës së djeshme Taulant Balla dhe Erion Braçe nga selia e PS denoncuan disa herë se nëpëmjet kësaj pajisje janë përgjuar drejtuesit e opozitës përfshi diplomatë të huaj në vend të shpallur si zëra kritikë të kryeministrit atëherë në detyrë, Sali Berisha.

Kodheli: Llalla, hetim akuzave të Imamit

Akuzat për trafik droge, PD: Seancë dëgjimore me Kodhelin

Akuza e ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami se reparte ushtarake në Shqipëri po përdoren për trafik droge mund të konsiderohet si një nga akuzat më të rënda të artikuluara këto dy dekadat e fundit.

Dhe akuza bëhet edhe më e rëndë kur prej pesë vjetësh Shqipëria është anëtare e NATO-s. Për këtë arsye, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli i ka këkruar prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla një reagim të menjëhershëm rreth këtyre akuzave.

Ministrja e Mbrojtjes, duke vënë në dukje shqetësimin e saj për këto akuza, që siç shprehet ajo kanë për qëllim të bëjnë Forcat e Armatosura mish për top nga propaganda anti-qeveritare, nëpërmjet një letre i kërkon kryeprokurorit të prononcohet nëse ka nisur apo jo një hetim.

“Nëse nuk ka nisur një hetim bazuar në kërkesën e 11 prillit, përsëris domosdoshmërinë e nisjes së një procesi hetimor”, shkruan ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Por Partia Demokratike bëri një reagim të ashpër kur e cilësoi arrogante dhe të papranueshme mënyrën e komunikimit të ministres së Mbrojtjes me prokurorin e përgjithshëm.

“Është një komunikim i papreçedentë, një komunikim urdhërues, ku ministrja urdhëron prokurorin të hapë hetime ndaj opozitës dhe deputetëve të saj. Kjo maxhorancë harron që është votuar për të qeverisur dhe nuk është votuar që ata të bëhen kryeprokurorë, as kryetarë gjykatash, apo drejtues të isntitucioneve të tjera”, deklaroi deputeti Flamur Noka.

Ndërkohë, çështja e akuzave të Partisë Demokratike për përdorimin e ushtrisë për trafik droge pritet të diksutohet këto ditë në Kuvend, pasi opozita ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën e saj për të thirrur në seancë dëgjimore ministren Kodheli.

“Ne e gjykojmë jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm këtë raportim që duhet të bëjë ministrja para deputetëve, para Komisionit të Sigurisë, sepse nëpërmjet fakteve që disponojmë ne, rezulton se Forcat e Armatosura janë keqpërdorur në trafikun e drogës. Është cënuar si asnjëherë tjetër imazhi i Forcave të Armatosura, është cënuar rëndë imazhi i vendit tonë si një vend anëtar i NATO-s ndaj dhe ne kërkojmë që kjo e vërtetë të zbardhet deri në fund”, tha Noka.

Top Channel