Mësymje e re e pro-rusëve

14/04/2014 00:00

Aktivistët pro-rusë sulmuan një tjetër ndërtesë të administratës lokale në lindje të Ukrainës, megjithëse iu vendos një afat për t’u larguar, ose në të kundërt do të përballeshin me forcat ukrainase. Një turmë mësyu dhe mori nën kontroll komisariatin e policisë në Horlivka, në afërsi të Donjeckut.

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turchynov, në Parlament akuzoi Moskën për agresionin, por – nga ana tjetër – shprehu mbështetjen për një referendum kombëtar për të ardhmen e Ukrainës, një prej kërkesave kyçe të protestuesve.

“Ne nuk jemi kundër zhvillimit të një referendumi kombëtar. Jam i sigurt se shumica e ukrainasve do të mbështesë Ukrainën e pandarë, të pavarur, demokratike dhe të bashkuar”, tha presidenti i përkohshëm, Turchynov.

Ai tha se “Ukraina po përgatitet për operacionin anti-terrorizëm kundër personave të armatosur, të cilët kanë pushtuar ndërtesat qeveritare në Sloviansk dhe qytete të tjerë. Ai tha se OKB mund të asistojë në këtë operacion.

Kjo ka pak gjasa që të ndodhë, përderisa Rusia ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, i cili duhet të autorizojë një veprim të tillë. Gazetarët ndërkombëtarë, që ndodhen në Ukrainë, thanë se “njerëzit në lindje të vendit, mezi presin të shohin nëse Turchynov do t’i përmbahet kërcënimit për ta përdorur ushtrinë kundër grupeve pro-ruse”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “nuk është përçarja dhe ndarja e Ukrainës në interesin e Rusisë, por – ai shtoi se – Moska kërkon që të gjithë qytetarët e vendit të trajtohen në mënyrë të barabartë”.

Kryediplomati rus rrëzoi akuzat se ishin agjentët rusë, që “hodhën benzinë” në lindje të Ukrainës. Ai tha se po kërkon shpjegime nga SHBA-të për raportimet e fundit se, shefi i CIA-s John Brennan kishte vizituar Kievin.

Në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit, të dielën, Rusia i kërkoi Kievit të mos përdorë forcën kundër protestuesve në Lindje të Ukrainës. Ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin, i bëri thirrje qeverisë së Ukrainës të “nisë një dialog të sinqertë”.

Ambasadori i Ukrainës, Juri Sergeyev, u përgjigj se “kriza u krijua artificialisht nga Moska”. Në Luksemburg, ministrat e Jashtëm të BE-së miratuan masa për t’i dhënë mbi 1 miliard euro ndihmë ekonomike Ukrainës. Gjithashtu, ata aprovuan “reduktimin e përkohshëm apo eliminimin e detyrimeve doganore për eksportet ukrainase në BE”.

BE-ja dhe SHBA-të deklaruan se do zgjerojnë  listën e emrave nën shënjestër nga sanksionet e BE-së.

Në zhvillime të tjera
– Moska mohon akuzat se agjentët rusë nxitën trazirat.
– Shkarkohet kreu i operacionit të anti-terrorit, nuk iu përgjigj krizës në lindje.
– Kievi nuk ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në lindje, sepse kjo do të sillte anulimin e zgjedhjeve të 25 Majit.
– Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe janë të një mendjeje, për sanksione të tjera kundër Rusisë.

Top Channel