Bisedë telefonike Putin-Obama

15/04/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama i ka bërë thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të përdorë të gjithë influencën e tij që separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës të tërhiqen.

Dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike pasi aktivistët vazhduan të mbanin të pushtuara ndërtesat qeveritare në qytetet lindore.

Zyra e shtypit e Kremlinit bëri të ditur se, nga ana e tij zoti Putin hodhi poshtë akuzat për një ndikim të Moskës, duke i cilësuar informacionet si “të pabesueshme”.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi se biseda “e hapur dhe direkte” mes dy presidentëve u bë me kërkesë të palës ruse.

“Presidenti shprehu shqetësimin e thellë për mbështetjen e qeverisë ruse ndaj aksioneve të separatistëve të armatosur pro-rusë, që kërcënojnë të destabilizojnë qeverinë ukrainase”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Sipas njoftimit, “presidenti amerikan theksoi se të gjitha trupat e parregullta në vend duhet të ulin armët dhe i bëri thirrje zotit Putin që të ushtrojë influencën e tij tek këto grupe, për t’i bindur që të braktisin ndërtesat e pushtuara”.

Gjithashtu, presidenti amerikan kërcënoi palën ruse me sanksione më të gjera, duke thënë se ato do të shtohen nëse aksionet e separatistëve do të vazhdojnë.

Ndërsa zyra e Kremlinit njoftoi se Putin i bëri thirrje zotit Obama që të përdorë të gjitha burimet që ka në dispozicion për të parandaluar ndonjë gjakderdhje të mundshme.

Ai i hodhi poshtë zërat se Rusia po ndërhyn në Ukrainë, duke thënë se këto akuza bazoheshin në “informacione të dyshimta”.

Top Channel