Një aktivitet në kuader të pesëvjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka qenë të mërkurën arenë e debatit të fortë politik dhe replikave mes qeverisë dhe opozitës.

Duke folur e para në këtë aktivitet, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka vlerësuar rolin e Forcave të Armatosura shqiptare, të cilat janë kthyer në urën e sigurtë që lidhin Shqipërinë me NATO-n.

Por ministrja Kodheli iu përgjigj hapur sulmeve të fundit të opozitës dhe kritikoi atë që e quajti keqpërdorim dhe presion nga politik ndaj ushtrisë.

“Ka kohë që Forcat e Armatosura janë bërë pjesë e sulmeve politike. Megjithatë, unë bëj thirrje për të ndalur keqpërdorimin ndaj FA. Ne do të mbështesim Forcat e Armatosura dhe nuk do të lejojmë që këto sulme të dëmtojnë imazhin e FA dhe të Shqipërisë. Kjo, sepse Forcat e Armatosura kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve paqëruajtëse në rajon dhe jo vetëm”, deklaroi Kodheli.

E ndërsa foli menjëherë pas ministres së Mbrojtjes, lideri i opozitës Lulzim Basha, ministër i Jashtëm pesë vjet më parë, kritikoi qeverinë për prishjen e balancave politike, ndërsa preku shkarazi edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme kur tha se duhen respektuar rregullat e lojës, që, siç u shpreh ai, na i ka përcaktuar sovrani, ne të zgjedhurve në 4 vite apo edhe më shpejt, në qoftë se nuk e bëjmë detyrën siç duhet.

Basha nënvizoi reformat që u ndërmorën pesë vjet më parë nga qeveria e PD dhe i qëndroi akuzave të ditëve të fundit të opozitës për trafik droge përmes Forcave të Armatosura.

“Forcat e Armatosura e krijuan dinjitetin falë reformave të ndërmarra. Mendoj se duhet të heqim dorë nga sindromat e vitit 0 sepse dinjitetin e FA e fituan vetë FA. Si në çdo fushë të jetës transparenca ndihmon në dinjitet dhe kjo vlen edhe për Forcat e Armatosura. Transparenca dhe llogaridhënja ndihmojnë në formimin dhe ruajtjen e dinjitetit të Forcave të Armatosura”, deklaroi Basha.

Në mes të këtij debati shqiptar në këtë aktivitet përkujtimor, ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili u rishfaq në publik pas një kohe të gjatë, foli në mbështetje të iniciativave të fundit ligjore të Ministrisë së Mbrojtjes, madje nuk u kursye në kritika, duke nënkuptuar qeverinë paraardhëse kur deklaroi se në disa apsekte reformat te Forcat e Armatosura janë të vonuara.

“Rruga që Shqipëria ndoqi për të arritur antarësimin në NATO ishte e gjatë dhe pasqyronte një dëshirë nga të gjitha krahët e shoqërisë shqiptare për t’u bashkuar sëbashku, për tu ngritur mbi politikat partiake dhe për të kapërcyer linjat partiake përt të mirë të vendit. Shtetet e Bashkuara mbështetën dhe kontribuan për rishikimin e strategjisë së mbrojtjes së Shqipërisë njohur ndryshe si RCM, një dokument që u hartua me miratimin e ish kryeministrit Sali Berisha. Megjithatë deri më sot  Shqipëria nuk ka zbatuar një plan konkret për këtë dokument që është një mjet I rëndësishëm për të ndihmuar forcat e armatosura shqiptare që të bëjnë më shumë me burimet dhe të jenë në gjendje të zbatojnë reformat e nisura në modernizimin e tyre. RCM duhet të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur pasi nuk ka arsye bindëse për vonesa”, tha Arvizu.

Në përfundim të këtij aktiviteti, nëpërmjet një mesazhi në Twitter ambasadori Arvizu u shpreh se Shtetet e Bashkuara përshëndesin reformat e nisura nga Ministria e Mbrojtjes, duke nxitur zbatimin e Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes.

Top Channel