Greqi, lirohen me kusht 2 gardianë

15/04/2014 00:00

Gjykata e Serresit në Greqi ka lënë të lirë edhe dy prej gardianëve të akuzuar për torturat ndaj të burgosurit shqiptar, Kudret Kume, njohur ndryshe edhe si Ilia Kareli, i cili u rrah brutalisht nga gardianët në burgun e Nigritës.

Një ditë më parë po kjo gjykatë la të lirë me kusht 4 gardianë të tjerë, duke pranuar kështu kërkesën e përfaqësuesve të akuzës. Sipas togave të zeza, ata duhet të paraqiten një herë në muaj në komisariatin e policisë të zonës ku jetojnë dhe u është ndaluar dalja nga shteti grek. Në këtë mënyrë nga 15 gardianë, 6 prej tyre po hetohen në gjendje të lirë dhe pjesa tjetër janë në paraburgim.

Ndërkohë drejtori i burgut të Nigritës nuk ka dalë ende para gjykatës, megjithëse në pamjet filmike të publikuara ditët e fundit nga mediat greke ai implikohet në dhunën e ushtruar ndaj 42-vjeçarit shqiptar. Pamjet tregojnë qartë se drejtori i burgut të Nigritas ka qenë në dhomën frigorifer ku janë ushtruar torturat që i shkaktuan vdekjen e Kudret Kumes (Ilia Karelit).

Ndërkohë, prokuroria shqiptare ka përgatitur dhe nisur letër-porosinë drejtuar homologes greke lidhur me dosjen hetimore të torturimit deri në vdekje të Kudret Kumes (Ilia Karelit). Burime të gazetës “Shqip” bënë me dije se rreth një javë më parë, letër-porosia është përgatitur nga Prokuroria e Fierit dhe më pas i është përcjellë organit qendror të akuzës. Kjo e fundit mësohet t’ia ketë nisur letër-porosinë homologes greke, e cila pritet të sjellë detaje të rrethanave të ngjarjes dhe të hetimit.

Top Channel