Nigeri, merren peng e dhunohen 200 vajza

15/04/2014 00:00

Rreth 200 vajza janë abuzuar seksualisht në ambientet e shkollës së tyre në veri-lindje të Nigerisë, nga militantët islamikë të armatosur rëndë të Boko Haram, të cilët mbërritën me kamionë, mikrobusë dhe autobusë, bënë të ditur zyrtarët dhe dëshmitarë.

Grupi islamik ka përshkallëzuar së fundi sulmet në rajon, teksa lideri i tyre publikoi një video muajin e kaluar, nëpërmjet të cilës kërcënonte se do të merrte peng vajzat nëpër shkolla.

Dhjetra të armatosur hynë me forcë Shkollën e Mesme Qeveritare për Vajza në Chibok, rreth 130 km në perëndim të Maiduguri-t, natën e së hënës, teksa studentet ishin duke fjetur nëpër konviktet e tyre, thanë zyrtarët. Ata u përballën në një betejë të gjatë me armë me ushtarët, rojtarë të shkollës, e më pas arritën të hipnin vajzat nëpër mjetet e tyre.

“Shumë vajza u përdhunuan nga të armatosurit, të cilët mësynë shkollën me një autokolonë mjetesh”, tha Emmanuel Sam, një zyrtar i arsimit në Chibok.

Sam nuk mund të thotë ekzaktësisht se sa vajza u morën peng e u përdhunuan, por një studente, e cila mundi të arratisej tha se ishin të paktën 200 studente të rrëmbyera.

“Agresorët e Boko Haram erdhën rreth orës 9 të darkës dhe u drejtuan menjëherë drejt shkollës, ku patën shkëmbime zjarri me ushtarët e stacionuar në shkollë, duke vrarë dy prej tyre”, tha rezidentja e Chibok-ut, Maina Babagana.

Më pas, të armatosurit i vunë flakën shtëpive dhe bizneseve në shtetin e Borno-s, përpara se të arratiseshin me vajzat, thanë dëshmitarët.

Top Channel